Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ndau përvojën e saj personale në Shqipëri, duke vlerësuar bukuritë natyrore, mikpritjen dhe sigurinë që kishte ndier gjatë vizitës së saj.
Kos tregoi se kishte zgjedhur të kalonte pushimet e Pashkëve në Shqipëri, pa e bërë publike vizitën, ndërsa kishte udhëtuar deri në Theth.
“Unë kam kaluar disa pushime, Pashkët në Shqipëri. Nuk i thashë askujt që kisha ardhur. Kam bërë 4 mijë kilometra deri në Theth. Nuk kam përjetuar ndonjëherë vende më të bukura dhe nuk kam takuar njerëz më të mirë. Ndihesha aq e sigurt dhe aq mirë”, u shpreh komisionerja.
Duke iu rikthyer procesit të integrimit evropian, Kos theksoi se rrugëtimi drejt anëtarësimit nuk është linear dhe se, pavarësisht sfidave, është e rëndësishme të ruhet objektivi i përbashkët.
Ajo nënvizoi rëndësinë e dialogut demokratik dhe bashkëpunimit ndërmjet aktorëve politikë, edhe në rastet kur ekzistojnë dallime në qëndrime.
“Jemi këtu për t’ju dëgjuar. Nuk pres që 100% e të gjithëve të bien dakord për një gjë. Por edhe kur nuk bien dakord, t’i diskutojmë dhe të bëhemi bashkë”, deklaroi Kos.
Komisionerja rikonfirmoi angazhimin e saj për të mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit evropian edhe gjatë vitit 2027.


