Kryeministri Edi Rama, në përmbyllje të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, me temë “A New Investment Frontier”, theksoi progresin ekonomik të Shqipërisë dhe potencialin e rajonit për t’u shndërruar në një destinacion strategjik për investimet evropiane.
Kreu i qeverisë deklaroi se ekonomia shqiptare është trefishuar gjatë 12 viteve të fundit, duke kaluar nga 10 në 30 miliardë euro, ndërsa objektivi është që ajo të dyfishohet sërish deri në vitin 2040. Rama bëri të ditur gjithashtu se buxheti i shtetit arrin për herë të parë në 10 miliardë euro.
Duke iu referuar rrugëtimit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, kryeministri kujtoi nisjen e Procesit të Berlinit, 12 vite më parë, me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, si dhe zhvillimet që çuan më pas në prezantimin e Planit të Rritjes për rajonin.
“Pas 12 vitesh, a nuk ka ardhur koha të mos shihemi më vetëm përmes lentes së zgjerimit? Jemi një destinacion i ri për investime, jemi një kënd i rritjes së Evropës”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje edhe potencialin e inteligjencës artificiale për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, duke e konsideruar atë një faktor të rëndësishëm për realizimin e objektivave afatgjata të vendit.
Rama nënvizoi gjithashtu avantazhet e pozicionit gjeografik të Shqipërisë, anëtarësimit në NATO dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si elemente që rrisin potencialin e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Gjendemi në pikëtakimin mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë. Jemi një portë hyrëse për Ballkanin Perëndimor, jemi aleatë në NATO dhe jemi në rrugën drejt BE-së”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij, Rama kërkoi që Ballkani Perëndimor të mos shihet më vetëm në kuadër të politikës së zgjerimit, por edhe si një hapësirë me potencial për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e Evropës.


