Marta Kos: Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, integrimi në BE kërkon dialog politik

26 Nov 2026 • 17:40
Shpërndaje:

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet të mbyllet përkohësisht një e katërta e kapitujve negociues.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Kos bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet forcave politike, institucioneve dhe shoqërisë civile, duke nënvizuar se reformat e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të gëzojnë mbështetje të gjerë për të qenë të qëndrueshme në kohë.

Komisionerja vlerësoi përparimin e Shqipërisë në ngritjen e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor për ndërtimin e besimit të vendeve anëtare dhe sigurimin e miratimit të të 27 shteteve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Reklamë Ola

Kos nënvizoi gjithashtu se Shqipëria gëzon nivelin më të lartë të mbështetjes qytetare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ndërmjet vendeve kandidate, duke e konsideruar këtë një mandat të rëndësishëm politik për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme.

“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Të gjithë e dimë se udhërrëfyesi nuk përbën garanci. Sa më shumë të afrohet anëtarësimi, aq më e rëndësishme bëhet dëshmia se institucionet funksionojnë”, deklaroi Kos.

Reklamë InterMedika

Komisionerja identifikoi tri prioritete për avancimin e procesit të integrimit: vijimin e reformave dhe zbatimin konkret të legjislacionit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe përmbushjen e standardeve mjedisore; forcimin e pjesëmarrjes në procesin legjislativ; si dhe trajtimin e dallimeve politike përmes dialogut demokratik.

“Të gjitha rrymat e politikës dhe të shoqërisë shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një projekt kombëtar”, theksoi ajo.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, Kos nënvizoi se protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike dhe se Komisioni Evropian nuk mban anë në debatet e brendshme politike të vendit.

Sipas saj, përgjegjësia e Komisionit është të garantojë përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim, ndërsa disa prej shqetësimeve të ngritura gjatë protestave të fundit lidhen ngushtë me procesin e negociatave.

Kos siguroi se Komisioni Evropian do të bëjë pjesën e tij për trajtimin e këtyre shqetësimeve, duke theksuar se anëtarësimi në BE nuk nënkupton vetëm harmonizimin me legjislacionin evropian, por edhe funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e vlerave themelore të Bashkimit Evropian.