Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, rikonfirmoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një mundësi konkrete për shtetet që angazhohen në zbatimin e reformave.
Në konferencën për shtyp pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Costa u bëri thirrje vendeve të rajonit të ruajnë ritmin e përparimit drejt anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se situata aktuale gjeopolitike e bën edhe më të rëndësishëm forcimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe rajonit.
“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe realizoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian vlerësoi veçanërisht progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke i cilësuar të dyja vendet si shembuj konkretë të avancimit të procesit të zgjerimit.
“Përparimi i bërë nga Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen”, u shpreh ai.
Costa bëri të ditur se gjatë këtij viti ka nisur hartimi i Traktatit të Anëtarësimit për Malin e Zi, një hap që nuk ishte ndërmarrë prej më shumë se një dekade, ndërsa Shqipëria ka nisur procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave.
Gjatë samitit, liderët shqyrtuan përparimin e arritur që prej takimit të mëparshëm në Tivat dhe diskutuan mundësitë për avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas Costa-s, qytetarët e rajonit po përfitojnë tashmë nga kjo qasje.
Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk kërkon vetëm përmbushjen e reformave, por edhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, pajtimin, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
“Është koha të shohim përpara dhe jo pas. Vetëm kështu partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim të vërtetë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar”, deklaroi Costa.
Në përfundim, presidenti i Këshillit Evropian rikonfirmoi angazhimin e Brukselit ndaj rajonit, duke siguruar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbetet partneri më i qëndrueshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

