Kryeministri Edi Rama, në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka folur për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën kundër korrupsionit dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë.
Sa i përket mbylljes së kapitujve të negociatave, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria po punon intensivisht në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe se procesi po vijon sipas planifikimit. Megjithatë, ai theksoi se avancimi i disa etapave kërkon miratimin paraprak të Komisionit.
“Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse, siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë një test për Shqipërinë, kryeministri argumentoi se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është një dëshmi e seriozitetit të vendit në procesin e integrimit evropian.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe është arsyeja e saktë pse Shqipëria duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ka kaluar nga një situatë ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria konsideroheshin probleme sistemike, në një realitet ku institucionet po luftojnë këto fenomene.
Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore në trajtimin e çdo çështjeje, duke argumentuar se zhvillimet në sistemin e drejtësisë duhet të vlerësohen pozitivisht nga Bashkimi Evropian.
“Korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv”, përfundoi kryeministri.


