Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë po mbështet një trajnim të organizuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për përdorimin e provave digjitale në hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synim forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve shqiptare të drejtësisë.
Gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e SPAK-ut, ambasadori amerikan, Eric Wendt, iu drejtua prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjetikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë”, deklaroi Wendt.
Ambasadori paralajmëroi se manipulimi i tenderëve dhe praktikat korruptive largojnë investitorët amerikanë, duke i kushtuar Shqipërisë vende pune dhe mundësi për rritje ekonomike.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht”, theksoi ai.
Wendt nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, veçanërisht rrjeteve të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Sipas tij, goditja e këtyre strukturave nga autoritetet shqiptare kontribuon drejtpërdrejt edhe në sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Ambasadori evidentoi përdorimin në rritje të aplikacioneve të enkriptuara, kriptovalutave dhe platformave digjitale nga organizatat kriminale dhe zyrtarët e korruptuar për fshehjen e aktiviteteve të paligjshme dhe transferimin e fondeve përtej kufijve.
“Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale”, u shpreh ai.
Wendt bëri të ditur se një pjesë e provave të nevojshme për hetimet shqiptare mund të ndodhen në serverë të kompanive amerikane, përfshirë komunikimet elektronike, llogaritë e rrjeteve sociale dhe platformat e ruajtjes së të dhënave. Për këtë arsye, ai theksoi rëndësinë e njohjes së procedurave për sigurimin dhe ruajtjen në kohë të këtyre provave.
Në kuadër të trajnimit, eksperti i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Taylor Phillips, do të prezantojë procedurat për sigurimin e provave digjitale dhe administrimin e tyre në proceset hetimore.
Ambasadori riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për institucionet shqiptare të drejtësisë, duke nënvizuar respektimin e pavarësisë së tyre dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes nga ndikimet politike apo ndërhyrjet e papërshtatshme.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte mesazhi i Wendt, i cili u bëri thirrje përfaqësuesve të drejtësisë të mbështesin vendimmarrjen vetëm te provat dhe ligji, pavarësisht pozitës, lidhjeve apo rëndësisë së personave nën hetim.


