Pavarësisht përmirësimit të kushteve të jetesës dhe rritjes së jetëgjatësisë, pabarazitë shëndetësore vazhdojnë të mbeten një sfidë e rëndësishme në Evropë dhe Azinë Qendrore, duke prekur rreth 187 milionë persona, ose një në pesë banorë të rajonit.
Këto janë gjetjet e një raporti të publikuar nga Zyra Rajonale për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sipas të cilit personat me të ardhura të ulëta, punësim të pasigurt, vështirësi në strehim dhe akses të kufizuar në shërbimet shëndetësore përballen me një gjendje më të dobët shëndetësore.
Ndër personat e prekur nga këto pabarazi përfshihen 35 milionë fëmijë dhe adoleshentë, 19 milionë të rinj, 99 milionë persona në moshë pune dhe 34 milionë të moshuar.
Raporti evidenton një përkeqësim të treguesve shëndetësorë te grupet me të ardhura të ulëta që prej vitit 2010. Përqindja e grave në moshë pune që e vlerësojnë shëndetin e tyre si mesatar ose të dobët është rritur nga 36% në 43%, ndërsa te burrat kjo shifër ka kaluar nga 32% në 42%. Në të njëjtën periudhë, treguesit për grupet me të ardhura më të larta kanë mbetur të pandryshuar.
Pabarazitë shëndetësore shfaqen që në fëmijëri. Sipas OBSH-së, fëmijët nga familjet më të varfra kanë dy herë më shumë gjasa të humbin jetën përpara moshës pesëvjeçare, krahasuar me ata nga familjet më të pasura.
Diferenca të konsiderueshme evidentohen edhe në përhapjen e sëmundjeve kronike. Rreth 34% e grave dhe 33% e burrave me të ardhura të ulëta vuajnë nga sëmundje kronike që kufizojnë aktivitetet e përditshme, kundrejt përkatësisht 15% dhe 12% te grupet me të ardhura të larta.
Pabarazitë prekin gjithashtu shëndetin mendor, ndërsa burrat me të ardhura të ulëta në moshë pune kanë katër herë më shumë rrezik për të zhvilluar depresion.
Një tjetër shqetësim i evidentuar në raport është rritja e shpenzimeve shëndetësore që mbulohen drejtpërdrejt nga familjet, fenomen i regjistruar në 11% të vendeve të rajonit. Kjo rrit rrezikun e heqjes dorë nga trajtimi mjekësor dhe të përballjes me vështirësi ekonomike.
“Vendi ku rritemi, të ardhurat familjare dhe mundësia për të gjetur një punë dinjitoze nuk duhet të përcaktojnë se sa gjatë apo sa mirë jetojmë”, deklaroi Christine Brown, drejtuese e Zyrës Evropiane të OBSH-së për Investimet në Shëndet dhe Zhvillim.
Ajo nënvizoi se, krahas të ardhurave, mundësitë e barabarta për arsimim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën e komunitetit luajnë një rol thelbësor në përmirësimin e shëndetit dhe reduktimin e pabarazive sociale.


