“NATO 3.0”, SHBA kërkon që Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen deri në vitin 2028

24 Nov 2026 • 22:37
Shpërndaje:

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po promovon një strategji të re për riorganizimin e NATO-s, të njohur si “NATO 3.0”, e cila parashikon një ndryshim të rëndësishëm në ndarjen e përgjegjësive ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.

Sipas Bloomberg, modeli parashikon që vendet evropiane të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit, ndërsa Uashingtoni të reduktojë angazhimin e tij ushtarak, duke ruajtur rolin qendror në parandalimin bërthamor.

Një nga figurat kryesore të kësaj strategjie është nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat, Elbridge Colby, i cili argumenton se Evropa disponon potencialin ekonomik dhe demografik për të marrë përsipër pjesën më të madhe të mbrojtjes së saj.

Reklamë Ola

Qasja e administratës Trump lidhet me konkurrencën në rritje me Kinën dhe zhvendosjen e prioriteteve strategjike amerikane drejt rajonit Indo-Paqësor. Megjithatë, strategjia nuk parashikon largimin e plotë të SHBA-së nga NATO, por një rishpërndarje të përgjegjësive brenda Aleancës.

Pentagoni po shqyrton aktualisht praninë ushtarake amerikane në Evropë, ndërsa Colby, gjatë një takimi në Bruksel më 17 nëntor, shprehu pritshmërinë që ky proces të përfundonte deri më 1 dhjetor. Ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, ka bërë të ditur se Uashingtoni kërkon që Evropa të marrë përsipër pjesën më të madhe të parandalimit konvencional deri në vitin 2028.

Reklamë InterMedika

Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), ndër skenarët që po shqyrtohen janë reduktimi i numrit të avionëve luftarakë amerikanë të përfshirë në planet mbrojtëse të NATO-s nga rreth 150 në 100, si dhe shkurtimi i kapaciteteve të furnizimit ajror, zbulimit detar dhe forcave strategjike.

Planet kanë shkaktuar shqetësime mes aleatëve evropianë, të cilët druhen se reduktimi i pranisë amerikane përpara forcimit të kapaciteteve të tyre ushtarake mund të krijojë boshllëqe në sigurinë e kontinentit. Sipas Bloomberg, një situatë e tillë mund të favorizojë Rusinë, veçanërisht në raport me krahun lindor të NATO-s dhe kërcënimet hibride.

Një tjetër sfidë lidhet me industrinë e mbrojtjes. Sipas Reuters, Colby u ka kërkuar aleatëve evropianë të mos përjashtojnë kompanitë amerikane nga programet e armatimit, pavarësisht synimit për rritjen e autonomisë ushtarake të Evropës.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e konsideron forcimin e shtyllës evropiane të Aleancës, së bashku me një kontribut më të madh të Kanadasë, si një mundësi për përmirësimin e ekuilibrit transatlantik dhe efektivitetit të NATO-s.

Në samitin e Hagës të vitit 2025, vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Nga kjo shumë, 3,5% do të dedikohet për shpenzimet e drejtpërdrejta ushtarake dhe 1,5% për investime më të gjera në siguri.

Megjithatë, afati i vitit 2028, i kërkuar nga Uashingtoni, është dukshëm më i afërt se objektivi financiar i vitit 2035, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Evropës për të garantuar mbrojtjen e saj konvencionale në një periudhë kaq të shkurtër.

Debati mbi “NATO 3.0” pritet të ndikojë në të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, në strategjinë e mbrojtjes evropiane dhe në aftësinë e Aleancës për të përballuar kërcënimet e sigurisë.