Kolegji i Evropës në Tiranë hap aplikimet për vitin akademik 2027-2028, mundësi bursash për studentët

24 Nov 2026 • 21:45
Shpërndaje:

Kolegji i Evropës në Tiranë ka hapur aplikimet për vitin akademik 2027-2028, duke u ofruar studentëve nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mundësinë për të ndjekur studimet master në fushën e integrimit evropian.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri bëri të ditur se kandidatët nga Shqipëria dhe rajoni, të cilët pranohen në kampusin e Tiranës, kanë pothuajse 100% mundësi për të përfituar bursë studimi.

Programi akademik u ofron studentëve mundësinë për të thelluar njohuritë mbi integrimin evropian, në një mjedis akademik ndërkombëtar në kryeqytetin shqiptar.

Reklamë Ola

Aplikimet për vitin akademik 2027-2028 janë hapur më 14 tetor 2026 dhe do të vijojnë deri më 13 janar 2027.

Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë formularin elektronik të aplikimit, pasi të jenë njohur me kriteret akademike dhe gjuhësore, tarifat e studimit, mundësitë e përfitimit të bursave dhe procedurat e përzgjedhjes.

Reklamë InterMedika

Kolegji i Evropës në Tiranë ofron një mundësi për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor që synojnë të specializohen në çështjet evropiane dhe të zhvillojnë karrierën e tyre profesionale në fushën e integrimit në Bashkimin Evropian.