Tirana pret Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, zbardhet agjenda e konferencës dyditore

24 Nov 2026 • 15:26
Shpërndaje:

Tirana do të presë më 25 dhe 26 nëntor 2026 Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum), një aktivitet i nivelit të lartë që do të mbledhë përfaqësues të Komisionit Europian, institucioneve financiare ndërkombëtare, drejtues politikë, investitorë dhe sipërmarrës nga rajoni dhe Europa.

Konferenca do të fokusohet në mobilizimin e investimeve, inovacionin, financimin e rritjes ekonomike, infrastrukturën digjitale, teknologjitë e pastra, kapitalin njerëzor dhe integrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në tregun europian.

Sipas agjendës së publikuar, punimet e ditës së parë do të nisin në orën 09:15, me fjalët përshëndetëse të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtores së përgjithshme të DG GROW në Komisionin Europian, Kerstin Jorna.

Reklamë Ola

Në konferencë do të mbajë një fjalë edhe Lars-Hendrik Röller, themelues dhe kryetar i Berlin Global Dialogue.

Sesioni i parë plenar, që do të zhvillohet nga ora 10:10 deri në 11:00, do t’i kushtohet prezantimit të gjashtë startup-eve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Shqipëria do të përfaqësohet nga Julia Hoxha, bashkëthemeluese dhe drejtuese ekzekutive e kompanisë Tidda, ndërsa Kosova nga Shpend Ahmeti, bashkëthemelues dhe drejtor menaxhues i Data4X.

Reklamë InterMedika

Diskutimet do të vijojnë në orën 11:30 me mobilizimin e investimeve për sipërmarrjet inovative, ku do të marrin pjesë përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit Europian të Inovacionit, Bankës Botërore dhe fondeve të investimeve.

Në orën 13:45 do të prezantohet perspektiva makroekonomike e Ballkanit Perëndimor, ndërsa sesioni i orës 14:00 do të fokusohet në financimin e rritjes ekonomike dhe mobilizimin e investimeve në kapital, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të fondeve ndërkombëtare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Infrastruktura digjitale dhe ndërtimi i platformës së ardhshme industriale të Europës do të jenë në qendër të diskutimeve në orën 15:30. Dita e parë do të përmbyllet me një diskutim të hapur mbi potencialin e sektorit të shërbimeve si model i ardhshëm i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Punimet e ditës së dytë, më 26 nëntor, parashikohet të nisin në orën 10:30, me pjesëmarrjen e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe drejtorit të përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, Gert Jan Koopman.

Nga ora 11:35 deri në 12:45, diskutimet do të përqendrohen te kapitali njerëzor, zhvillimi i aftësive profesionale dhe rritja e produktivitetit, si faktorë për tërheqjen e investimeve në rajon. Në panel do të marrin pjesë përfaqësues të sektorit privat, Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhe bankës gjermane për zhvillim KfW.

Në orën 13:15 do të zhvillohet sesioni mbi teknologjitë e pastra, konkurrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin industrial europian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive ndërkombëtare, BERZH-it dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).

Një nga panelet kryesore të konferencës do të zhvillohet nga ora 15:30 deri në 17:00, me fokus politikën industriale, konkurrueshmërinë europiane dhe potencialin e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë diskutim do të marrin pjesë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta, ky i fundit përmes një lidhjeje online, si dhe profesoresha e Universitetit të Hong Kongut, Keyu Jin.

Forumi do të përmbyllet në orën 17:30 me fjalët e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar mundësi për investime të reja, zhvillimin e sipërmarrjes dhe integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët europian.