Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në prezantimin e sistemit elektronik “e-Gjoba Administrative”, një platformë që synon unifikimin dhe digjitalizimin e procedurave të administrimit të gjobave nga institucionet publike.
Në aktivitetin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Inspektorati i Përgjithshëm Shtetëror, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ibrahimaj e cilësoi sistemin e ri si një tjetër hap drejt përmbylljes së reformës së inspektimeve.
Platforma përfshin 54 institucione dhe mundëson njoftimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe bizneseve përmes e-Albania, telefonit, WhatsApp-it dhe Viber-it. Subjektet do të kenë akses në informacionin mbi vlerën e gjobës, bazën ligjore, afatet e pagesës dhe të drejtën e ankimit.
“Është e rëndësishme që, kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetin që merr, por edhe në kohë që ky penalitet është vendosur. Të jetë i informuar në kohë për afatet e ankimimit dhe, sigurisht, të mos e gjejë veten me një penalitet të vendosur pa pasur informacion”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja nënvizoi se informimi në kohë u mundëson bizneseve të ushtrojnë të drejtat e tyre brenda afateve ligjore dhe të shmangin pasojat financiare që mund të lindin nga mungesa e njoftimit, përfshirë kamatëvonesat.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu rëndësinë e njoftimit dhe këshillimit paraprak të bizneseve, në përputhje me parimet e reformës së inspektimeve, e cila synon përmirësimin e komunikimit dhe rritjen e parashikueshmërisë në marrëdhëniet me institucionet shtetërore.
“Është një hap më tej drejt rritjes së transparencës, është një hap më tej drejt rritjes së konkurrencës dhe një hap më tej drejt përmirësimit të klimës së biznesit”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj falënderoi institucionet dhe ekipet e angazhuara në realizimin e platformës për kontributin në standardizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës.
Sistemi “e-Gjoba Administrative” synon të krijojë një mekanizëm të integruar për administrimin e masave administrative, duke lehtësuar aksesin në informacion, pagesën dhe ankimin e gjobave, si dhe monitorimin e procedurave në nivel kombëtar.


