Rama prezanton Sistemin Unik të Gjobave: Pagesat dhe apelimet përmes e-Albania, kamera trupore për policët dhe inspektorët

24 Nov 2026 • 13:19
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Sistemin Unik të Gjobave, gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike, duke paralajmëruar kalimin drejt digjitalizimit të plotë të procesit të vendosjes, pagesës dhe apelimit të masave administrative.

Sipas kryeministrit, sistemi i ri do t’i japë fund praktikës së vendosjes së gjobave në letër, ndërsa çdo masë administrative do të pasqyrohet në llogarinë personale të qytetarëve në platformën e-Albania.

Qytetarët do të njoftohen menjëherë në telefon për gjobat e vendosura dhe do të kenë mundësi t’i kontrollojnë, paguajnë dhe apelojnë ato në mënyrë elektronike. Të gjitha masat administrative do të grumbullohen dhe kategorizohen në një bazë të përbashkët të dhënash.

Reklamë Ola

Rama theksoi se sistemi i ri synon të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë e procesit, duke mundësuar identifikimin e çdo punonjësi përgjegjës për vendosjen e gjobave.

“Ajo që besoj është e rëndësishme është që nuk ka më gjobitje pa gjurmueshmëri, garantohet rrjedhë e njëjtë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjoba”, deklaroi kryeministri.

Reklamë InterMedika

Gjatë prezantimit, Rama paralajmëroi gjithashtu nisjen e një projekti për pajisjen e të gjithë efektivëve të policisë dhe inspektorëve në terren me kamera trupore, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës.

Sipas tij, kamerat do të mundësojnë monitorimin në kohë reale të aktivitetit të punonjësve, vlerësimin e sjelljes së tyre ndaj qytetarëve dhe identifikimin e situatave ku nevojitet ndërhyrje apo ndihmë.

Kryeministri vlerësoi se ndërthurja e këtyre sistemeve teknologjike synon të përmirësojë marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe administratës publike, si dhe të krijojë mekanizma të rinj për vlerësimin e performancës së institucioneve.

Rama falënderoi AKSHI-n dhe ADS-në për kontributin në procesin e digjitalizimit, ndërsa u kërkoi drejtuesve të institucioneve publike të marrin masat e nevojshme për zbatimin sa më të shpejtë të sistemit të ri.

“Besoj se është moment pozitiv për institucionet, por të gjithë të merrni masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra të realizohet një orë e më parë”, u shpreh Rama, duke shtuar se përgjegjësia për monitorimin e zbatimit të procesit i takon drejtpërdrejt kryeinspektorit.