Kostoja e jetesës, kriza e strehimit dhe qëndrimet ndaj kryeministrit Pedro Sánchez pritet të jenë ndër faktorët kryesorë që do të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Spanjë, sipas një sondazhi të realizuar për POLITICO.
Sipas sondazheve të fundit, Partia Popullore (PP) e qendrës së djathtë dhe Partia Socialiste e Sánchez kuotohen në rreth 30% të mbështetjes secila, ndërsa partia e së djathtës radikale Vox renditet e treta me rreth 18%.
Sánchez vendosi të shpallte zgjedhje të parakohshme në fillim të tetorit, pas protestave në shkallë kombëtare për çmimet e papërballueshme të banesave. Qeveria e tij ishte përballur më herët me kritika për menaxhimin e krizës së migracionit në Ceuta, si dhe me çështje korrupsioni që përfshijnë familjarë të kryeministrit.
Sondazhi i realizuar nga PF Global për POLITICO tregon se strehimi konsiderohet një nga dështimet kryesore të qeverisë Sánchez, i ndjekur nga migracioni dhe menaxhimi i krizës në Ceuta.
Rreth 40% e votuesve socialistë dhe më shumë se gjysma e mbështetësve të aleancës së majtë Broad Front vlerësojnë se kryeministri nuk ka arritur të adresojë siç duhet krizën e strehimit.
Në total, rreth një e treta e të anketuarve deklarojnë se kostoja e jetesës do të përcaktojë votën e tyre. Megjithatë, prioritetet ndryshojnë sipas përkatësisë politike. Për votuesit e PP-së dhe Vox-it, migracioni përbën një çështje kyçe, ndërsa mbështetësit e socialistëve i japin më shumë rëndësi strehimit dhe shëndetësisë.
Sondazhi evidenton gjithashtu mungesën e besimit ndaj partive politike në adresimin e problemeve kryesore të vendit. Rreth një e treta e të anketuarve shprehin besim te Vox për menaxhimin e migracionit, ndërsa në luftën kundër korrupsionit përgjigjja më e shpeshtë ishte se asnjë parti nuk gëzon besimin e tyre.
Qëndrimet personale ndaj Sánchez përbëjnë një tjetër faktor të rëndësishëm elektoral. Afro një e treta e të anketuarve deklarojnë se largimi i kryeministrit nga pushteti është një motiv kryesor për votën e tyre. Kjo përqindje arrin në afro 60% mes mbështetësve të PP-së dhe Vox-it.
Gjithashtu, mbi 80% e votuesve të këtyre dy partive mbështesin krijimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet tyre. Nga ana tjetër, 44% e votuesve socialistë dhe të aleancës Broad Front deklarojnë se do të votojnë në mënyrë strategjike për të penguar ardhjen e një partie të caktuar në pushtet.
Sondazhi tregon gjithashtu një nivel të kufizuar popullariteti për tre drejtuesit kryesorë politikë, Pedro Sánchez, Alberto Núñez Feijóo dhe Santiago Abascal. Secili prej tyre gëzon vlerësime pozitive nga rreth 30% e të anketuarve, ndërsa më shumë se gjysma shprehin mendim negativ për Sánchez dhe 42% për Feijóo.
Sondazhi u zhvillua nga PF Global në periudhën 15–17 nëntor, me pjesëmarrjen e 2,454 qytetarëve spanjollë të rritur. Marzhi i përgjithshëm i gabimit statistikor është ±2 pikë përqindjeje.


