Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Europian do të zhvillojë një debat të brendshëm mbi politikën e migracionit të kryeministres daneze, Mette Frederiksen, pas shqetësimeve të ngritura nga eurodeputetë të disa vendeve anëtare gjatë një takimi të hënën në Strasburg.
Sipas POLITICO, eurodeputetët kundërshtuan deklaratat e Frederiksen të 17 nëntorit, të cilat, sipas kritikëve, pasqyrojnë elemente të teorisë konspirative të “zëvendësimit të madh”. Kjo teori pretendon në mënyrë të rreme se elitat po përpiqen të ndryshojnë përbërjen demografike të popullsisë përmes emigracionit.
“Nuk jam mbështetëse e një zëvendësimi të madh të popullsisë. Ne jemi një shoqëri daneze dhe përbëjmë një komunitet etnik autokton danez. Sigurisht, kjo evoluon kur njerëz të rinj mbërrijnë këtu. Por është gjithashtu e nevojshme që Danimarka të vazhdojë të ketë një kulturë të fortë shumice”, deklaroi Frederiksen në podcastin “Borgerlig Tabloid”, sipas gazetës franceze Le Monde.
Eurodeputetët shprehën kundërshtime edhe ndaj mbështetjes së kryeministres daneze për një marrëveshje mes Danimarkës dhe katër vendeve të tjera të BE-së, që parashikon krijimin e një qendre kthimi në Ruandë për migrantët e dëbuar.
Sipas katër burimeve të cituara nga POLITICO, eurodeputetët portugezë dhe gjermanë ishin ndër të parët që ngritën shqetësime gjatë takimit në Strasburg. Pas ndërhyrjeve të disa anëtarëve të tjerë, kryetarja e grupit S&D, Iratxe García, propozoi zhvillimin e një diskutimi të posaçëm në një nga mbledhjet e ardhshme.
Debati nxjerr në pah ndarjet brenda grupimit të qendrës së majtë europiane mbi ashpërsimin e politikave të migracionit dhe kufijtë e bashkëpunimit me forcat e tjera politike për këtë çështje.
Qëndrimet e Frederiksen kanë shkaktuar kritika edhe më herët, veçanërisht pas deklaratave të përbashkëta me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, kundër migracionit të pakontrolluar.
Pas krizës së migracionit në Ceuta, Frederiksen nënshkroi gjithashtu një letër drejtuar presidentit të Këshillit Europian, António Costa, ku kërkohej ndërmarrja e masave për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Në atë kohë, García deklaroi për mediat spanjolle se qëndrimi i kryeministres daneze nuk përfaqësonte atë të familjes politike socialiste europiane.
Ndërkohë, Christel Schaldemose, drejtuese e delegacionit danez në grupin S&D, shprehu gatishmërinë për të diskutuar mbi këtë çështje.
“E mirëpres mundësinë për të diskutuar politikën e migracionit me kolegët e mi në grupin S&D”, deklaroi ajo për POLITICO.
Një punonjës i grupit socialist, i pranishëm në takim, bëri të ditur se çështja ka shkaktuar tensione të brendshme dhe se kundërshtimet e ngritura nga eurodeputetët janë shoqëruar me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Zëdhënësi i Iratxe García refuzoi të komentonte diskutimet e brendshme të grupit, ndërsa zyra e kryeministres daneze nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së POLITICO për koment.


