Trump paralajmëron forcimin e dënimit me vdekje në SHBA

24 Nov 2026 • 10:21
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar masa të reja për forcimin e zbatimit të dënimit me vdekje në nivel federal, duke kërkuar ndëshkime më të ashpra për autorët e krimeve të rënda dhe përshpejtimin e ekzekutimeve.

Gjatë një aktiviteti në Departamentin e Drejtësisë në Uashington, të hënën, më 23 nëntor, Trump deklaroi se do t’u kërkojë prokurorëve federalë të kërkojnë dënimin maksimal për krime të rënda, përfshirë vrasjen e fëmijëve, si dhe rastet e përdhunimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore që kanë përfunduar me vrasjen e viktimave.

Nisma parashikon gjithashtu përshpejtimin e ekzekutimeve të personave të dënuar me vdekje nga gjykatat federale.

Reklamë Ola

Presidenti amerikan e lidhi vendimin e tij me masën e ndërmarrë nga guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, për ndryshimin e dënimeve me vdekje të 548 të burgosurve në burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht.

Vendimi i Newsom, i marrë më 5 nëntor, nuk është zbatuar ende plotësisht, pasi një pjesë e ndryshimeve kërkojnë miratimin e Gjykatës Supreme të Kalifornisë.

Reklamë InterMedika

Trump kritikoi ashpër guvernatorin demokrat, duke e akuzuar se po tregohet i butë ndaj autorëve të krimeve të rënda. Kundërshtime ndaj vendimit shprehën edhe disa familjarë të viktimave, të pranishëm në aktivitetin në Uashington.

Nga ana tjetër, Newsom e ka mbrojtur vendimin e tij, duke argumentuar se ai lidhet me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe problematikat e sistemit të drejtësisë. Ai ka theksuar se personat në fjalë nuk do të lirohen, por do të vuajnë dënimin me burg për pjesën tjetër të jetës.

Trump kishte nënshkruar edhe në janar të vitit 2025, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, një urdhër ekzekutiv për forcimin e zbatimit të dënimit me vdekje në nivel federal.

Megjithatë, shumica e dënimeve kapitale në Shtetet e Bashkuara jepen nga gjykatat e shteteve, ndërsa administrata federale nuk ka kompetencë të urdhërojë ekzekutime për krime që janë ekskluzivisht nën juridiksionin shtetëror.

Nisma e presidentit amerikan ka rikthyer në vëmendje debatin mbi dënimin kapital, në një kohë kur mbështetja publike për këtë masë rezulton në rënie.

Sipas një sondazhi të Gallup, të publikuar më 10 nëntor, 49% e amerikanëve mbështesin dënimin me vdekje për personat e dënuar për vrasje. Sipas sondazhit, kjo është hera e parë që prej vitit 1971 që mbështetja për dënimin kapital bie nën 50%.