Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, i ka bërë thirrje Greqisë të luajë një rol aktiv në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, në prag të marrjes së Presidencës së radhës së Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Deklaratat u bënë në Athinë, gjatë takimit të Grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku morën pjesë ministra të Jashtëm të vendeve europiane dhe përfaqësues të vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.
Presidenca greke përkon me periudhën kur Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit, ndërsa Mali i Zi kërkon të avancojë drejt finalizimit të procesit të integrimit.
“Jam shumë e lumtur që po takohemi këtu në Athinë, Greqi, dhe shpresoj që Presidenca e Greqisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të punojë fort, pa u lodhur, për procesin e zgjerimit”, deklaroi Kos.
Komisionerja theksoi se zgjerimi është rikthyer në krye të prioriteteve strategjike të Bashkimit Europian, në një periudhë sfidash të mëdha gjeopolitike.
Sipas saj, institucionet europiane kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar anëtarë të rinj, ndërsa vendet kandidate duhet të vijojnë përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e reformave të nevojshme.
“Kemi shanse të mira për të arritur rezultate me negociatat, tani që zgjerimi është sërish një prioritet kryesor i gjithë BE-së. Po jetojmë në kohë sfiduese gjeopolitike dhe është koha të arrijmë rezultate”, u shpreh Kos.
Ajo iu referua komunikatës së Komisionit Europian mbi gatishmërinë e Unionit për zgjerimin, duke theksuar se mesazhi i Brukselit është pozitiv.
“Përgjigjja është po, BE-ja është gati për një zgjerim të ri. Shpresoj që Bashkimi Europian të jetë më i fortë”, deklaroi komisionerja.
Duke folur për përparimin e vendeve kandidate, Kos veçoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy shembuj inkurajues të procesit të integrimit europian.
“Pas 23 vitesh nga Selaniku, ne po arrijmë rezultate. Në grupin e katër pretendentëve kemi dy vende nga Ballkani Perëndimor, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Shpresoj që këto të inkurajojnë edhe të tjerët për të arritur rezultate”, tha ajo.
Deklaratat e komisioneres marrin rëndësi të veçantë për Shqipërinë, duke qenë se Greqia, si çdo vend tjetër anëtar i BE-së, ka rol në vendimmarrjen që lidhet me avancimin dhe përmbylljen e procesit të anëtarësimit.
Megjithatë, përfundimi i negociatave në vitin 2027 mbetet një objektiv i Shqipërisë dhe varet nga përmbushja e kritereve, vlerësimet e institucioneve europiane dhe vendimet e shteteve anëtare.
Në margjinat e takimit në Athinë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim dypalësh me homologun grek, Giorgos Gerapetritis.
Sipas njoftimit të diplomacisë shqiptare, gjatë bisedimeve u rikonfirmua mbështetja e Greqisë për perspektivën europiane të Shqipërisë, si dhe rëndësia e forcimit të partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Takimi në Athinë vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë të avancojnë negociatat dhe të afrohen me fazat përfundimtare të anëtarësimit.


