Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, pas ceremonisë së përurimit të sistemit të përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë.
Takimi u bë i ditur nga vetë Ahmeti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se biseda me kryeministrin shqiptar u përqendrua te çështjet me interes të përbashkët kombëtar, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, integrimi europian dhe sfidat e sigurisë në rajon.
“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi”, deklaroi Ahmeti.
Kreu i BDI-së vlerësoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve politikë shqiptarë, duke nënvizuar nevojën për koordinim në çështjet që lidhen me zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen europiane të rajonit.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua perspektivës së integrimit europian, një objektiv strategjik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, ku të dy vendet janë anëtare.
Ahmeti theksoi gjithashtu simbolikën e datës së zhvillimit të takimit, më 22 nëntor, kur shqiptarët përkujtojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si dhe afrimin e festimeve të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
“Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë”, u shpreh ai.
Sipas Ahmetit, këto dy data përfaqësojnë momente themelore të historisë kombëtare dhe shërbejnë si kujtesë për rëndësinë e ruajtjes së identitetit, gjuhës dhe lidhjeve ndërmjet shqiptarëve.
“Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare”, deklaroi kryetari i BDI-së.
Ai bëri thirrje për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë, duke e konsideruar këtë një përgjegjësi të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe me perspektivë europiane.
“Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë”, theksoi Ahmeti.
Takimi mes Ramës dhe Ahmetit u zhvillua në kuadër të vizitës së kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, gjatë së cilës u përurua sistemi “One Stop Shop”, që synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve.
Më herët, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun Hristijan Mickoski, Rama kishte theksuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të bazohen në respektimin e sovranitetit dhe institucioneve të secilit shtet.
Kryeministri shqiptar deklaroi se të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë të mirëpritur në Tiranë, por nënvizoi se nuk do të ndërhyjë në garat politike apo në çështjet e brendshme të vendit fqinj.
Ai theksoi gjithashtu se marrëdhëniet e mira me kryeministrin Mickoski dhe me drejtuesit politikë shqiptarë, përfshirë Ali Ahmetin, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por përbëjnë një vlerë të shtuar për bashkëpunimin rajonal.
Takimi i zhvilluar në Ditën e Alfabetit përcolli mesazhin e rëndësisë së dialogut politik, ruajtjes së lidhjeve kombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në funksion të integrimit europian dhe stabilitetit të rajonit.


