Kryeministri Edi Rama ka komentuar përmes një postimi në rrjetet sociale raportin e fundit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar si historike rekomandimin për nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rama thekson se ky rekomandim përbën një arritje të madhe, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të vijuar rrugën drejt integrimit europian, pavarësisht zhvillimeve politike dhe protestave.
Duke iu referuar edhe mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë u shpreh se pa te socialistët gatishmërinë për të nisur një betejë të re politike, me synimin për një tjetër fitore.
Në fund të reagimit, Rama bëri edhe një paralajmërim politik për datën 9 maj 2027, duke e cilësuar atë si Ditën e Europës dhe të Partisë Socialiste.
POSTIMI
“Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për TRAKTATIN E ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË në Bashkimin Europian” – kjo është fjalia historike e Raportit të Zgjerimit të BE-së dhe tek togëfjalëshi, Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë, është thelbi i arritjeve tona të mëdha dhe i përgjegjësisë sonë të madhe, për të mos lejuar që asgjë, askush, asnjë furi gurësh, molotovësh, balte apo glasash, të na shpërqëndrojë nga misioni historik i Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian
Ky ishte edhe thelbi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare sot, ku pashë atë dritën që ndizet në sytë e socialistëve kur zgjohen për të nisur rrugën e një beteje të re, për një fitore të re, për Shqipërinë dhe historinë e saj
9 MAJI 2027 DO TË JETË DITA E EUROPËS DHE E PARTISË SOCIALISTE – për këtë s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç


