82-vjetori i Çlirimit të Rrogozhinës, Balla: Të nderojmë dëshmorët dhe të punojmë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030

13 Nov 2026 • 14:17
Shpërndaje:

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, mori pjesë në ceremoninë e 82-vjetorit të Çlirimit të Rrogozhinës.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi kontributin e kësaj treve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duke shprehur mirënjohjen për dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit. Ai iu drejtua gjithashtu mësuesve dhe nxënësve të pranishëm, duke theksuar rëndësinë e rezultateve në arsim dhe të kontributit të brezit të ri në përfaqësimin e Rrogozhinës.

“Rrogozhina ka lënë gjurmën e vet në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ka pasur dëshmorët e saj dhe pjesëtarët e saj në këtë luftë. Prandaj jam sot këtu për t’i shprehur mirënjohjen për gjithçka ka bërë në mbështetje të Luftës Antifashiste, por edhe për gjithçka bën çdo ditë. Nxënësve dua t’u them se mund të kontribuoni duke arritur rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe duke e rritur e forcuar përfaqësimin e Rrogozhinës”, u shpreh Balla.

Reklamë Ola

Duke e cilësuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare si një nga momentet më kulmore të historisë kombëtare, Balla theksoi se ajo e renditi Shqipërinë në krah të vendeve antifashiste dhe të koalicionit fitues të Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë kontekst, ai e lidhi përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike me aspiratën e integrimit europian, duke nënvizuar se Shqipëria ndodhet përpara një tjetër momenti të rëndësishëm historik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Reklamë InterMedika

“Sot, pas 82 vitesh, besoj se biem të gjithë dakord që e shohim Shqipërinë në një moment tjetër historik, i cili duhet domosdoshmërisht të kulmojë me një fitore tjetër, sikurse është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda këtij 10-vjeçari, pra deri në vitin 2030”, deklaroi Balla.

Në përfundim, ai bëri thirrje për të kujtuar me nderim dhe krenari dëshmorët e heronjtë që dhanë jetën për çlirimin e atdheut, ndërsa theksoi rëndësinë e punës së përditshme për realizimin e aspiratës europiane të Shqipërisë.