Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në përbërjen e Grupit Negociator të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke rishpërndarë përgjegjësitë mes zëvendësministrave dhe drejtuesve të institucioneve për disa kapituj të rëndësishëm të negociatave.
Vendimi, i marrë me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, synon të përcaktojë përgjegjësitë e përfaqësuesve institucionalë në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Ndryshime në politikën rajonale dhe sektorin ekonomik
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kapitullin 22, “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, ku përgjegjësinë si negociator e merr zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Oltjon Muzaka, duke zëvendësuar ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Në fushën e ekonomisë, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, merr përgjegjësinë edhe për kapitullin 6, që lidhet me të drejtën e shoqërive tregtare.
Ai vijon të jetë përgjegjës për kapitullin 1 dhe bashkënegociator për kapitujt 28 dhe 30. Ndërkohë, shfuqizohet përcaktimi i mëparshëm që ngarkonte ish-zëvendësministren Blerta Rama me kapitujt 4 dhe 6.
Rishpërndahen përgjegjësitë në financa
Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, merr edhe rolin e bashkënegociatorit për kapitullin 4, “Lëvizja e lirë e kapitalit”, krahas përgjegjësive për kapitujt 32 dhe 33.
Ndërsa zëvendësministri Endrit Yzeiraj, përveç kriterit ekonomik dhe kapitujve 16 e 29, caktohet bashkënegociator edhe për kapitullin 9, “Shërbimet financiare”, dhe kapitullin 17, “Politika ekonomike dhe monetare”.
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, përcaktohet bashkënegociatore për kapitujt 4 dhe 17.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, vijon të mbajë përgjegjësinë si bashkënegociatore për kapitullin 9.
Përfshihen përfaqësues të rinj në konkurrencë dhe sigurinë ushqimore
Ndryshime janë miratuar edhe për kapitullin 8, “Politika e konkurrencës”, ku kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, do të ndajë përgjegjësinë si bashkënegociator me zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa.
Në kapitullin 12, që përfshin sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, i bashkohet zëvendësministrit Arian Jaupllari.
Të dy do të mbajnë përgjegjësinë si bashkënegociatorë për këtë kapitull.
Ndryshime edhe në shëndetësi dhe mbrojtjen e konsumatorit
Në sektorin e shëndetësisë dhe politikave sociale, zëvendësministrja Denada Seferi vijon të jetë bashkënegociatore për kapitullin 19, që lidhet me politikën sociale dhe punësimin.
Ndërkohë, zëvendësministrja Eugena Tomini i bashkohet Grupit Negociator si bashkënegociatore përgjegjëse për kapitullin 28, “Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Grupi Negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet përkatëse të përfshira në proces.
Ndryshimet vijnë në kuadër të organizimit institucional të negociatave të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kapitujt e legjislacionit të Bashkimit Europian.


