Deputetja Luarasi për Eunews: Miratohet rregullorja e nënkomisionit kundër dezinformimit, në fokus edhe zgjedhjet lokale

12 Nov 2026 • 15:11
Shpërndaje:

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, në një prononcim ekskluziv për EUNEWS, ka bërë të ditur se nënkomisioni për Ndërhyrjet e Huaja dhe Dezinformimin ka miratuar rregulloren, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt organizimit të punës dhe adresimit ligjor të fenomenit të lajmeve të rreme.

Në cilësinë e drejtueses së këtij nënkomisioni, Luarasi theksoi se përhapja masive e dezinformimit në rrjetet sociale kërkon një qasje të qartë ligjore dhe institucionale.

“Rregullorja është një moment shumë i rëndësishëm për punën e nënkomisionit, sepse gjithë ky dezinformim, gjithë këto lajme të rreme që i kanë mbipopulluar rrjetet sociale, patjetër që duhet të adresohen nga pikëpamja ligjore”, deklaroi Luarasi.

Reklamë Ola

Ajo sqaroi se nënkomisioni nuk ka si detyrë pastrimin e rrjeteve sociale nga lajmet e rreme, por synon krijimin e një baze ligjore për trajtimin e këtij fenomeni, duke iu referuar edhe mekanizmave të Bashkimit Evropian.

“Nënkomisioni nuk ka në detyrën e tij që të pastrojë rrjetet sociale nga dezinformimi dhe nga lajmet e rreme që shpërndahen. Kjo do të jetë punë e institucioneve dhe e platformave. Nënkomisioni po synon që të rregullojë një bazë ligjore, siç ka ndodhur edhe nëpërmjet European Shield, që ekziston në vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Një ndër prioritetet kryesore të nënkomisionit do të jetë mbrojtja e procesit zgjedhor, në prag të zgjedhjeve lokale. Për këtë arsye, sipas Luarasit, do të zhvillohen një sërë seancash dëgjimore me institucionet përgjegjëse, për të analizuar mënyrën se si ato përballen me ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.

“Do të thërrasim në seanca dëgjimore Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, AKSH-in, rregullatorin, dhe këtu e kam fjalën për AMA-n, si dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit për auditimet që u bëjnë këtyre institucioneve”, bëri të ditur deputetja e PS-së.

Luarasi theksoi se dëgjesat do të shërbejnë për të vlerësuar edhe performancën e institucioneve në përballimin e rreziqeve që lidhen me ndërhyrjet e huaja dhe përhapjen e informacionit të rremë.

“Kështu që do të jetë një seri e gjatë dëgjesash me institucionet për të kuptuar se si e kapin edhe ata nga performanca e tyre pjesën që ka lidhje me ndërhyrjen e huaj dhe me dezinformacionin”, përfundoi Iris Luarasi.