Bashkimi Evropian i ka kërkuar Izraelit të garantojë akses të plotë dhe të papenguar për ndihmat humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa reshjet e dendura, përmbytjet dhe temperaturat e ulëta po përkeqësojnë kushtet e jetesës për mijëra familje të zhvendosura.
Gjatë një konference për mediat në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, paralajmëroi se afrimi i dimrit po e rëndon më tej situatën humanitare, veçanërisht për familjet që jetojnë në tenda të dëmtuara ose të përmbytura nga reshjet.
Sipas saj, Bashkimi Evropian i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë izraelite, në të gjitha nivelet, të lejojë hyrjen e plotë të ndihmave humanitare në territor.
Hrncirova theksoi se jo të gjitha pikat kufitare janë të hapura për kalimin e ndihmave, duke penguar furnizimin e popullsisë me ushqime, materiale strehimi dhe produkte të tjera të domosdoshme.
Rritet rreziku i sëmundjeve dhe infeksioneve
Zëdhënësja paralajmëroi se përmbytjet dhe temperaturat e ulëta mund të sjellin pasoja të rënda shëndetësore për banorët, duke shtuar rrezikun e përhapjes së sëmundjeve dhe infeksioneve.
Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës ka nevojë urgjente për strehim dhe ndihma joushqimore, ndërsa rreth 60% e personave që kanë nevojë për këtë mbështetje ndodhen në kushte kritike.
Që prej tetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian ka ndarë rreth 700 milionë euro ndihmë humanitare për palestinezët.
“Ne bëjmë thirrje për qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar në Gaza për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve atje”, deklaroi Hrncirova.
BE-ja kërkon lehtësimin e menjëhershëm të hyrjes së ndihmave, ndërsa mungesa e strehimit të përshtatshëm dhe përkeqësimi i motit po shtojnë rreziqet për popullsinë civile në Gaza.


