Begaj dhe Mattarella takojnë arbëreshët në Romë: Themeli i vëllazërisë shqiptaro-italiane

09 Nov 2026 • 16:59
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, pritën së bashku në Pallatin Quirinale në Romë kryetarët e komunave arbëreshe në Itali, në një takim kushtuar lidhjeve historike, kulturore dhe njerëzore mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e komunitetit arbëresh në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit shqiptar për më shumë se pesë shekuj, duke e cilësuar atë si një urë të pazëvendësueshme miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, deklaroi Begaj.

Reklamë Ola

Kreu i Shtetit falënderoi Presidentin Mattarella për organizimin e takimit, duke e cilësuar atë një mik të çmuar të Shqipërisë dhe mbështetës të aspiratave të saj evropiane.

Begaj theksoi se marrëdhëniet shqiptaro-italiane mbështeten jo vetëm në interesat e përbashkëta strategjike, por edhe në lidhjet e thella historike mes dy popujve.

Reklamë InterMedika

Arbëreshët, shembull i ruajtjes së identitetit dhe integrimit

Një vend të veçantë në fjalën e Presidentit zuri kontributi i komunitetit arbëresh dhe i shqiptarëve që jetojnë sot në Itali.

Sipas Begajt, këto dy komunitete, megjithëse të ndara nga shekuj historie, dëshmojnë se integrimi në shoqërinë pritëse dhe ruajtja e identitetit kombëtar mund të ecin paralelisht.

“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ai.

Presidenti vlerësoi gjithashtu kontributin e shqiptarëve në jetën ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore të Italisë.

Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Begaj e cilësoi Italinë një aleate të besueshme në NATO, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset kryesore të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në përfundim, ai u bëri thirrje drejtuesve të komunave arbëreshe të vijojnë përpjekjet për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, riteve dhe traditave te brezat e rinj.

“Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë”, ishte mesazhi i Presidentit Begaj.

Takimi u përmbyll me shkëmbimin e dekoratave mes dy presidentëve, në shenjë vlerësimi të ndërsjellë për kontributin në forcimin e miqësisë dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë.