Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi një kopje të Raportit të Progresit 2026 të Komisionit Evropian për vendin.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi raportin si vlerësimin më gjithëpërfshirës dhe të detajuar mbi ecurinë e reformave dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri theksoi se dokumenti duhet të lexohet në tërësinë e tij, duke vlerësuar progresin e arritur, por edhe duke njohur sfidat që mbeten për t’u adresuar.
“Duhet të mirëpresim progresin thelbësor dhe domethënës të arritur, i cili konfirmon se jemi në rrugën e duhur dhe se Shqipëria është e aftë jo vetëm të marrë angazhime, por edhe t’i përmbushë ato”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, raporti përmban një zhvillim të rëndësishëm për procesin e integrimit, pasi objektivi i Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është pasqyruar për herë të parë në një dokument të Bashkimit Evropian si një synim ambicioz, por i arritshëm.
Megjithatë, Hoxha nënvizoi se realizimi i këtij objektivi kërkon vijimin e reformave, përmirësimin e cilësisë së tyre dhe zbatimin efektiv e të qëndrueshëm të angazhimeve të ndërmarra.
Ministri konfirmoi angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmbushjen e përgjegjësive në fazën vendimtare të negociatave.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi dhe projekti ynë më i rëndësishëm kombëtar”, theksoi Hoxha.
Ai shtoi se integrimi evropian kërkon kontributin e të gjithë shoqërisë, duke nënvizuar se edhe përfitimet e anëtarësimit do t’u përkasin të gjithë qytetarëve.
Përfundimi i negociatave deri në vitin 2027 mbetet një objektiv i procesit të integrimit dhe nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE, i cili kërkon edhe përmbushjen e procedurave përkatëse dhe miratimin nga shtetet anëtare.


