BE synon 45 miliardë euro të tjera për Ukrainën, Dombrovskis: Po shqyrtojmë asetet ruse të ngrira

09 Nov 2026 • 15:03
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re financiare prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, për të mbuluar nevojat shtesë të Kievit për mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, deklaroi në Bruksel se është optimist, por i kujdesshëm për mundësinë e sigurimit të këtij financimi, përtej mbështetjes së miratuar tashmë nga BE-ja.

Aktualisht, Bashkimi Evropian ka parashikuar një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për periudhën 2026–2027. Megjithatë, nevojat financiare të vendit kanë rezultuar më të larta nga parashikimet fillestare.

Reklamë Ola

“Po punojmë për të mbuluar mungesën e financimit të Ukrainës, e cila ka rezultuar më e madhe nga sa pritej”, deklaroi Dombrovskis, përpara takimit të ministrave të Financave të BE-së.

Sipas tij, Komisioni Evropian po përgatit një propozim që synon të mbulojë rreth dy të tretat e nevojave shtesë financiare të Ukrainës, përmes një pakete prej 45 miliardë eurosh.

Reklamë InterMedika

Një nga alternativat kryesore që po shqyrtohet është krijimi i një huaje të garantuar nga asetet ruse të ngrira në Bashkimin Evropian.

“Jam optimist, por i kujdesshëm, se do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje dhe të sigurojmë këtë financim shtesë prej 45 miliardë eurosh”, theksoi komisioneri.

Në tetor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kishte bërë të ditur udhëheqësve evropianë se vendit i nevojiten edhe 70 miliardë euro gjatë vitit 2027 për mbrojtjen, furnizimet me armatime dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë.

Propozimi për financimin shtesë pritet të diskutohet nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian në takimet e ardhshme, përfshirë samitin e planifikuar këtë javë në Dublin.

Ende nuk ka një vendim përfundimtar për mekanizmin e financimit dhe mënyrën e përdorimit të aseteve ruse të ngrira.