Ish-drejtuesi i Wirecard pretendon se ndihmoi në rrëzimin e kancelarit austriak Kurz

08 Nov 2026 • 21:01
Shpërndaje:

Jan Marsalek, ish-drejtuesi i kompanisë gjermane Wirecard, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, ka pretenduar se ka luajtur rol në rrëzimin nga pushteti të ish-kancelarit austriak Sebastian Kurz në vitin 2021.

Pretendimet janë zbuluar përmes mesazheve të përfshira në dosjet hetimore, të siguruara nga rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve Axel Springer Global Reporters Network, pjesë e të cilit është edhe POLITICO.

Sipas dokumenteve, Marsalek i kishte shkruar Orlin Roussev, drejtuesit të një rrjeti spiunazhi të dënuar në Britaninë e Madhe, se kishte marrë pjesë në një operacion që kishte arritur të rrëzonte kancelarin austriak.

Reklamë Ola

Në mesazhet e datës 22 tetor 2021, Marsalek pretendonte se grupi i tij kishte kontribuar në sekuestrimin e telefonit të Thomas Schmid, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë austriake të Financave dhe bashkëpunëtor i afërt i Kurz.

Telefoni, i sekuestruar nga autoritetet austriake në nëntor 2019, përmbante komunikime që më vonë u përdorën si prova në hetimet për korrupsion, emërime politike dhe përdorimin e dyshuar të fondeve publike për qëllime partiake.

Reklamë InterMedika

Në tetor 2021, hetimet dhe kontrollet e prokurorisë ndaj institucioneve qeveritare dhe Partisë Popullore Austriake çuan në rritjen e presionit politik ndaj Kurz, i cili dha dorëheqjen më 9 tetor.

Megjithatë, dokumentet e publikuara nuk përmbajnë prova të pavarura që vërtetojnë përfshirjen e Marsalek në sekuestrimin e telefonit apo në organizimin e një operacioni për rrëzimin e kancelarit.

Dyshime për ndërhyrje ruse në politikën austriake

Autoritetet austriake po hetojnë lidhjet e Marsalek me ish-shërbimin e inteligjencës së brendshme të vendit dhe mundësinë e përdorimit të informacioneve sekrete në favor të Rusisë.

Sipas prokurorëve britanikë, Marsalek ka qëndruar në Moskë dhe ka kryer veprimtari kryesisht për Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Ai është në arrati që prej vitit 2020, kur Wirecard falimentoi pas zbulimit të një mungese prej 1.9 miliardë eurosh në bilancet e kompanisë.

Ndërkohë, Orlin Roussev është dënuar në Britaninë e Madhe me 10 vjet e tetë muaj burg për veprimtari spiunazhi në favor të Rusisë.

Hetuesit austriakë i kanë interpretuar mesazhet si një pretendim të drejtpërdrejtë të Marsalek për përfshirje në ngjarjet që kontribuuan në dorëheqjen e Kurz, por autenticiteti i pretendimit të tij për rolin konkret në operacion mbetet i paprovuar.

Thirrje për hetim të plotë

Kreu i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, ka kërkuar hetimin e plotë të çështjes, duke paralajmëruar për rrezikun e ndërhyrjeve të shërbimeve ruse të inteligjencës në proceset demokratike evropiane.

“Rusia dëshiron të destabilizojë demokracitë tona të lira”, deklaroi Weber, duke theksuar se ndërhyrja e shërbimeve sekrete në proceset demokratike dhe gjyqësore duhet të parandalohet.

Eksperti i sigurisë Ed Arnold, nga instituti britanik RUSI, vlerësoi se Marsalek mund ta ketë ekzagjeruar rolin e tij në rrëzimin e Kurz, ndërsa theksoi se shërbimet ruse të inteligjencës shpesh përpiqen të shfrytëzojnë përçarjet politike në vendet evropiane.

Ish-kancelari Sebastian Kurz nuk ka pranuar të komentojë mesazhet e zbuluara, ndërsa Ministria e Brendshme austriake ka refuzuar të japë detaje, duke iu referuar hetimeve në vazhdim.