Rama prezanton platformën “Fol me Kryeministrin”: Hapësirë për dialog me qytetarët

08 Nov 2026 • 11:50
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re digjitale “Fol me Kryeministrin”, një hapësirë komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët, e krijuar fillimisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të paraqesë pyetje, kritika, shqetësime apo propozime.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga platforma, duke e cilësuar atë si një mundësi për të zhvilluar dialog përmes telefonit apo kompjuterit, pa qenë e nevojshme që qytetarët të identifikohen publikisht.

Sipas kryeministrit, nisma lindi nga nevoja për komunikim dhe dialog e evidentuar gjatë protestave të studentëve.

Reklamë Ola

“Çdo protestë ka një arsye kur nis, por edhe një sfond më të gjerë sesa pankarta e pikënisjes. Nga ana tjetër protesta nuk është vetëm një manifestim shqetësimi, pakënaqësie a zemërimi, po pjesë e bashkëjetesës demokratike, ku qytetarët janë të lirë të shprehen dhe kanë të drejtë të dëgjohen”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se protesta është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.

Reklamë InterMedika

“Protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog”, deklaroi ai.

Megjithatë, Rama bëri dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve, kërcënimet dhe dëmtimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe të dënueshme.

Komunikim edhe pa publikimin e identitetit

Kryeministri shpjegoi se platforma synon t’u krijojë mundësi komunikimi edhe studentëve që, sipas tij, nuk ndihen të lirë të shprehen publikisht për shkak të presioneve apo intimidimit.

“Një mundësi e thjeshtë komunikimi të drejtpërdrejtë me mua, fillimisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim”, tha Rama.

Ai garantoi se identiteti i personave që zgjedhin të komunikojnë pa e bërë publik emrin e tyre do të trajtohet në mënyrë konfidenciale dhe nuk do të publikohet pa pëlqimin e tyre.

Sipas Ramës, platforma nuk synon të zëvendësojë protestat apo të kushtëzojë dialogun me dakordësinë ndaj qëndrimeve të qeverisë, por të krijojë një kanal shtesë komunikimi mes qytetarëve dhe kryeministrit.

“Askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t’u dëgjuar”, theksoi ai.

Në përfundim, Rama ftoi qytetarët që dëshirojnë të dialogojnë të përdorin platformën, duke nënvizuar se edhe mosmarrëveshjet mund të diskutohen me respekt dhe përgjegjësi.

“Le ta nisim duke rënë dakord se mund të mos jemi kurrë dakord, por nga mënyra se si e shprehim mosdakordësinë tonë varet edhe sa e mirë ose jo është bashkëjetesa jonë demokratike”, përfundoi kryeministri.