Ministri spanjoll i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, do të drejtojë edhe Ministrinë e Transportit deri në zgjedhjet e 29 nëntorit, pas dorëheqjes së Óscar Puentes. Vendimi u njoftua të mërkurën në mëngjes nga kryeministri Pedro Sánchez.
Cuerpo, i cili mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të parë, do të marrë përgjegjësinë për këtë dikaster pas aksidentit hekurudhor të 28 tetorit në provincën e Toledos, ku humbën jetën 69 persona.
Sánchez e arsyetoi zgjedhjen duke vlerësuar aftësitë drejtuese të Cuerpos, për të cilin tha se ka dëshmuar “aftësi të jashtëzakonshme menaxhimi” gjatë legjislaturës aktuale.
Cuerpo është një nga figurat që ka fituar peshë në qeverinë spanjolle. Me profil teknokrat, ai shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Thesarit gjatë kohës kur Nadia Calviño drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. Pas zgjedhjes së saj në krye të Bankës Europiane të Investimeve, ai mori drejtimin e ministrisë dhe më pas u emërua zëvendëskryeministër i parë.
Paraardhësi i tij në Ministrinë e Transportit, Óscar Puente, dha dorëheqjen të martën, duke e cilësuar vendimin “një çështje dinjiteti politik”.
Aksidenti në Toledo ishte tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë gjatë këtij viti. Në janar, përplasja e trenave në Adamuz shkaktoi vdekjen e 46 personave.
Duke komentuar largimin e Puentes, Sánchez tha se dorëheqja e tij kontribuon në rikthimin e besimit të qytetarëve, si te sistemi hekurudhor, ashtu edhe te përgjegjësia politike.
“Me dorëheqjen e tij, Óscar po kontribuon që Spanja të rifitojë besimin jo vetëm te sistemi ynë hekurudhor, por edhe te dinjiteti politik”, u shpreh kryeministri.


