Koordinatori i qeverisë gjermane për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Metin Hakverdi, deklaroi se fitorja e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit pritet të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat politikë në Uashington. Megjithatë, ai paralajmëroi se presidenti Donald Trump ruan kompetenca të konsiderueshme, veçanërisht në politikën e jashtme.
“Amerika ka zgjedhur ndryshimin”, u shpreh Hakverdi, deputet i Partisë Socialdemokrate gjermane.
Sipas tij, rezultatet dëshmojnë se balancat politike mund të ndryshojnë shpejt, edhe në shtete dhe zona të konsideruara tradicionalisht bastione të sigurta të republikanëve.
Hakverdi i bëri thirrje qeverisë gjermane të mbajë marrëdhënie të afërta me të dyja partitë amerikane dhe të zgjerojë kontaktet me grupe të ndryshme të shoqërisë.
“Ne nuk duhet t’i kufizojmë kontaktet tona vetëm te njëra palë e spektrit politik”, theksoi ai.
Koordinatori nënvizoi gjithashtu se Gjermania duhet të vijojë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të konkurrueshmërisë ekonomike, pavarësisht ndryshimeve politike në Uashington.
“Ne nuk duhet ta bëjmë sigurinë dhe suksesin tonë ekonomik të varur nga rezultatet e zgjedhjeve në SHBA”, deklaroi Hakverdi.
Ai i cilësoi zgjedhjet historike edhe për përfaqësimin politik, duke përmendur zgjedhjen e gruas së parë indigjene në postin e guvernatores së Nju-Meksikos dhe të gruas së parë afro-amerikane në krye të Xhorxhias.


