Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar se e ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, të premten në burgun e Fierit, por ka mohuar pretendimet se i ka kërkuar të dorëzojë mandatin me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gogu deklaroi se vizita kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe dëgjimin e ankesave të bëra publike nga avokati i tij.
“Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij”, shkroi ministri.
Reagimi vjen pas aludimeve se gjatë takimit Gogu i kishte përcjellë Veliajt një kërkesë për largimin nga posti. Ministri i cilësoi të pavërteta mesazhet që i janë atribuuar.
“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, u shpreh ai.
Gogu përmendi edhe miqësinë e hershme me Veliajn, ndërsa tha se nuk dëshironte të besonte që pretendimet të ishin thënë apo shkruar prej tij.
Sipas ministrit, vizita ishte e lidhur me shqetësimet për trajtimin dhe të drejtat e Veliajt pas transferimit nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Ai shtoi se rrethanat e takimit janë “të dokumentuara dhe të verifikueshme”.


