Shtetet e Bashkuara janë në orët e fundit të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit, ndërsa sondazhet favorizojnë demokratët për Dhomën e Përfaqësuesve dhe tregojnë një garë të hapur për kontrollin e Senatit.
Republikanët, të cilët aktualisht kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, përballen me rrezikun e humbjes së shumicës. Rezultati do të përcaktojë hapësirën politike të presidentit Donald Trump gjatë dy viteve të mbetura të mandatit.
Sipas anketimit më të fundit të NBC-së, demokratët kanë mbështetjen e 52% të të anketuarve, kundrejt 45% për republikanët. Avantazhi i tyre është zgjeruar me dy pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar.
Gara të forta edhe në bastionet republikane
Një sondazh i “The New York Times” dhe Siena tregon se kandidatët demokratë kryesojnë në shumicën e shtatë shteteve të shqyrtuara, të rëndësishme për balancën e pushtetit në Senat.
Në Teksas, demokrati James Talarico rezulton me 50% të mbështetjes, përballë 43% për republikanin Ken Paxton. Në Kansas, Adam Hamilton ka 49%, kundrejt 44% për senatorin republikan Roger Marshall.
Demokratët shfaqen përpara edhe në Michigan, Maine dhe Ohio, ndërsa gara në Alaskë mbetet e ngushtë.
Sipas Reuters, demokratët janë të favorizuar për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve, por kontrolli i Senatit mbetet i pasigurt. Sondazhet pasqyrojnë prirjet para votimit dhe nuk përcaktojnë rezultatin përfundimtar.
Trump mobilizon mbështetësit: Do të bëhem “Zoti Veto”
Presidenti Trump ka intensifikuar tubimet në përmbyllje të fushatës, me ndalesa në Kansas dhe Iowa, duke u kërkuar mbështetësve republikanë të votojnë masivisht.
“Nëse fitojnë demokratët, do të bëhem Zoti Veto”, deklaroi ai, duke sinjalizuar se do të përdorte kompetencën presidenciale për të bllokuar nismat legjislative të kundërshtarëve.
Trump premtoi gjithashtu pagesa prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan në moshë madhore, nëse republikanët sigurojnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
“Nëse republikanët fitojnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, çdo amerikan në moshë madhore do të përfitojë 5 mijë dollarë”, tha ai.
Në tubimet e fundit, presidenti u shpreh i bindur për një fitore të thellë. Për demokratët, marrja e njërës apo e të dyja dhomave do të krijonte mundësi më të mëdha për të kontrolluar veprimtarinë e administratës dhe për të penguar pjesë të agjendës së saj legjislative.


