Rama paralajmëron pasoja për drejtuesit pa rezultate: Ka nisur vlerësimi

02 Nov 2026 • 15:53
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se drejtuesit e institucioneve ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon do të përballen me pasoja. Gjatë prezantimit të “Shkallës së meritës”, së bashku me ministren e Administratës Publike, Adea Pirdeni, ai bëri të ditur se prej rreth dhjetë ditësh ka nisur vlerësimi i drejtuesve të disa institucioneve që ofrojnë shërbime drejtpërdrejt për qytetarët.

Sipas Ramës, procesi synon të dallojë institucionet ku drejtimi ka sjellë rezultate nga ato ku puna ka mbetur në rutinë apo ka dëmtuar imazhin e shtetit.

“Kjo nuk është aspak një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në krye të institucioneve apo hiq Colin dhe sill Lolin”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Kryeministri theksoi se vlerësimi duhet të shoqërohet me njohjen e profesionalizmit dhe mbrojtjen e punonjësve që kanë treguar rezultate pozitive.

“Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi duhet të zhvillohet pa cenuar kapacitetet e administratës, shërbimet për qytetarët apo punën për negociatat me Bashkimin Evropian.

Reklamë InterMedika

“Drejtimi nuk mund të jetë privilegj pa rezultate”

Rama e lidhi procesin e vlerësimit me planin e ri “Shkalla e meritës”, duke theksuar se përgjegjësia e drejtuesve duhet të matet vazhdimisht.

“Drejtimi i institucionit nuk mund të jetë një privilegj i shkëputur nga rezultatet dhe llogaridhënia nuk mund të fillojë vetëm kur problemet fillojnë dhe bëhen publike. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit”, tha ai.

Në këtë kuadër, kryeministri u ndal edhe te avancimi në karrierë, duke argumentuar se meritokracia duhet të jetë njëkohësisht kërkesë ndaj punonjësve dhe garanci që shteti u ofron atyre.

Sipas tij, puna e mirë duhet të njihet, ndërsa aftësia duhet të jetë kusht i panegociueshëm për ngjitjen në shkallët e karrierës.

Roli i Ministrisë së Administratës Publike

Kreu i qeverisë tha se krijimi i Ministrisë së Administratës Publike synon t’i japë një përgjegjësi të qartë institucionale menaxhimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore të shtetit.

Sipas Ramës, ministria do të vijojë reformën në administratë, duke u përqendruar te organizimi dhe funksionimi i institucioneve, zhvillimi i kapaciteteve të punonjësve, mirëqeverisja dhe llogaridhënia.