Kosova humb 43,8 milionë euro nga BE-ja, reformat ngecën nga bllokada politike

02 Nov 2026 • 15:35
Shpërndaje:

Kosova ka humbur 43,8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk përmbushi brenda afatit gjashtë nga 13 hapat e reformave që duhej të realizoheshin deri në qershor 2026.

Këtë e bëri të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian. Ai e lidhi mosrealizimin e reformave kryesisht me bllokadën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit.

Sipas Zulfajt, nga 13 hapat që kishin një periudhë shtesë zbatimi deri në qershor, shtatë u përmbushën, ndërsa gjashtë mbetën të parealizuar.

Reklamë Ola

“Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43,8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, deklaroi ai.

Kërkesa e parë për pagesë pret vlerësimin e BE-së

Reklamë InterMedika

Vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882,6 milionë euro, rreth dy të tretat e të cilave janë kredi. Përfitimi i fondeve lidhet me përmbushjen e 111 hapave të reformave deri në fund të gushtit 2027.

Zulfaj tha se më 15 korrik Kosova dorëzoi kërkesën e parë për pagesë, duke paraqitur 20 hapa të zbatuar, me vlerë 153,4 milionë euro.

Shuma që do të disbursohet do të përcaktohet pas vlerësimit të Bashkimit Evropian, të cilin autoritetet kosovare presin ta marrin në ditët e para të nëntorit.

Afat deri në dhjetor për 131,5 milionë euro të tjera

Sipas kryenegociatorit, shumica e reformave të papërmbushura kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur institucioni nuk ishte konstituuar.

Ai tha se këto nisma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen brenda këtij viti. Mes tyre përfshihen ligjet për energjinë dhe falimentimin, paketa ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë, deri më 31 dhjetor, Kosova duhet të përmbushë edhe 22 hapa reformash, me vlerë 131,5 milionë euro.

Për realizimin e tyre, sipas Zulfajt, dhjetë akte kërkojnë miratimin e Kuvendit, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga qeveria.