Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar përgjigje të ashpër ushtarake ndaj çdo sulmi të ri kundër Iranit, pas deklaratës së kancelarit gjerman Friedrich Merz se konflikti i ka kushtuar Evropës mbi 100 miliardë euro.
Në një postim në X, Araghchi e akuzoi Merzin se kishte mbështetur sulmet amerikano-izraelite të qershorit 2025, ndërsa tani shpreh shqetësim për pasojat ekonomike të luftës.
Ai rikujtoi deklaratën e kancelarit se Izraeli po bënte “punën e ndyrë për të gjithë ne”.
“100 miliardë euro nuk janë asgjë në krahasim me goditjen shkatërruese që Forcat e Armatosura të Fuqishme të Iranit do t’u japin atyre që guxojnë të dëmtojnë popullin tonë”, shkroi Araghchi.
Mesazhin e mbylli me paralajmërimin se “vijat e kuqe janë një gjë e së kaluarës”.
Merz kërkon zgjidhje diplomatike
Gjatë një vizite të premten në Korenë e Jugut, Merz deklaroi se rritja e çmimeve të energjisë për shkak të konfliktit u ka kushtuar bizneseve dhe familjeve evropiane më shumë se 100 miliardë euro gjatë tetë muajve të fundit.
Ai theksoi se Evropa ka interes të drejtpërdrejtë për përfundimin e luftës dhe se zgjidhja duhet kërkuar përmes negociatave, jo mjeteve ushtarake.
Sipas Merzit, Gjermania po përdor kanale të ndryshme komunikimi për të ndihmuar në uljen e tensioneve.
Ndaj qeverive evropiane reagoi edhe zyrtari i lartë iranian Mohsen Rezaei, duke i akuzuar se kishin mbështetur konfliktin dhe tani po përballeshin me pasojat e tij ekonomike.
“Kur duartrokitët krimet e luftës, a menduat se pasojat nuk do t’ju preknin?”, shkroi ai në X.


