Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Vendimi erdhi pas konsultimeve me forcat politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Në takime morën pjesë përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe komisioneri Ilirjan Celibashi.
Sipas Presidencës, subjektet e tjera nuk iu përgjigjën ftesës dhe nuk shprehën publikisht preferencë për datën.
Celibashi sugjeroi 9 majin, të dielën e fundit brenda periudhës zgjedhore 15 prill–15 maj, me argumentin se u jep institucioneve më shumë kohë për përgatitjet. Të njëjtën datë parapëlqeu edhe Partia Socialdemokrate.
Presidenca theksoi se zgjedhja e datës nuk lidhet me favorizimin e ndonjë pale apo me ndikimin në vullnetin e zgjedhësve.
Begaj u bëri thirrje partive të paraqesin alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e procesit, të respektojnë ligjin dhe kushtet e barabarta të konkurrimit. Ai kërkoi gjithashtu bashkëpunim me KQZ-në për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.



