Von der Leyen rikthen “anëtarësimin e asociuar” të Kanadasë, pavarësisht kundërshtimeve

29 Oct 2026 • 19:48
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur propozimin që Kanadaja të bëhet “anëtarja e parë e asociuar” e Bashkimit Evropian, vetëm një ditë pasi shtetet anëtare kundërshtuan përfshirjen e këtij termi në deklaratën e përbashkët të samitit në Montreal.

“Kanadaja nuk mund të bëhet anëtare e plotë e BE-së për shkak të gjeografisë, por të dyja palët duam ta çojmë marrëdhënien tonë në nivelin më të lartë të mundshëm”, deklaroi ajo të enjten, në një fjalim të organizuar nga instituti C.D. Howe.

Sipas POLITICO-s, një grup vendesh të udhëhequra nga Gjermania kishte kundërshtuar termin “anëtar i asociuar”, duke preferuar formulime për një bashkëpunim më të ngushtë, pa anëtarësim të plotë.

Reklamë Ola

Berlini mbështet “Aleancën për të Ardhmen”

Menjëherë pas fjalimit të von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz publikoi një deklaratë për krijimin e një “Aleance për të Ardhmen” mes BE-së dhe Kanadasë, pa përmendur statusin e anëtarit të asociuar.

Reklamë InterMedika

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u përpoq të zbusë dallimet, duke mbështetur ambicien për afrimin e palëve, por duke relativizuar rëndësinë e emërtimit.

“Pavarësisht nëse ky do të jetë termi përfundimtar apo jo, një gjë është e qartë: partneriteti ynë do të jetë më i afërti, më i thelli dhe më i veçanti i këtij lloji”, tha Costa.

Diplomatë evropianë i thanë POLITICO-s se kryeqytetet mbështesin forcimin e marrëdhënieve me Kanadanë, por kanë rezerva për një status të ri, kuadri ligjor i të cilit mbetet i papërcaktuar.

Bashkëpunim në inteligjencën artificiale, energji dhe klimë

Von der Leyen tha se diskutimet do të përqendrohen te inteligjenca artificiale, politikat klimatike dhe energjetike, si dhe forcimi i lidhjeve mes institucioneve.

Ajo përmendi bashkëpunimin mes Komisionit Evropian dhe qeverisë kanadeze, parlamenteve, si dhe Gjykatës së Drejtësisë të BE-së dhe Gjykatës Supreme të Kanadasë.

Sipas saj, një status i tillë do të ishte i hapur vetëm për partnerët më të afërt jashtë Evropës, të gatshëm për të ndërtuar një marrëdhënie përtej formave aktuale të bashkëpunimit.

Kryeministri kanadez Mark Carney ka minimizuar debatin për emërtimin, duke thënë se rëndësi kanë përfitimet konkrete për qytetarët dhe forcimi i pavarësisë e sovranitetit të Kanadasë.

Samiti zhvillohet në një kohë kur si Otava, ashtu edhe Brukseli, janë përplasur me administratën e presidentit amerikan Donald Trump. Von der Leyen paralajmëroi për dobësimin e rendit ndërkombëtar dhe ndryshimin e shpejtë të aleancave mbi të cilat është mbështetur siguria dhe prosperiteti i tyre.