Partia Likud e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar nga policia dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme, Shin Bet, të hetojnë pretendimet e saj për mashtrime zgjedhore nga partitë arabe, raporton Times of Israel.
Në një deklaratë, Likud tha se kishte dorëzuar qindra dëshmi dhe prova për parregullsi të dyshuara, përfshirë blerje votash, kërcënime, dhunë, falsifikim dokumentesh dhe përdorim programesh të paligjshme për mobilizimin e votuesve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se po shqyrton ankesën, në kuadër të procedurave për kontrollin e rregullsisë së procesit. Akuzat mbeten të paprovuara, ndërsa një zyrtar i komisionit i kishte hedhur poshtë më herët pretendimet për mashtrim.
Reagimi vjen pas rezultatit historik të partive arabe Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilat, sipas të dhënave paraprake, pritet të sigurojnë së bashku 19 mandate në Knesset.
Me mbi 85% të votave të numëruara, Lista e Përbashkët parashikohej të merrte 12 vende dhe Ra’am shtatë. Blloku i Netanyahut rezultonte me 53 mandate, kundrejt 48 të bllokut të rivalit të tij, Gadi Eisenkot.
Asnjëri kamp nuk arrin shumicën prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende, çka u jep partive arabe një rol të rëndësishëm në negociatat për qeverinë e ardhshme.
Kreu i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, deklaroi se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me një qeveri të udhëhequr nga opozita për largimin e Netanyahut. Megjithatë, ai përjashtoi pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në një koalicion qeverisës në rrethanat aktuale.
Rezultatet mbeten paraprake, ndërsa numërimi i votave vijon.


