Projektligjet e përgatitura nga Ministria e Financave për paketën fiskale 2027 parashikojnë ndryshime në TVSH, tatimin mbi pagat dhe detyrimet e bizneseve. Mes propozimeve janë ulja e TVSH-së për ushqimet bazë, rritja e normës së përgjithshme dhe përfshirja e më shumë subjekteve në skemën e këtij tatimi.
Masat mbeten propozime, ndërsa pritet prezantimi i buxhetit dhe i paketës fiskale për vitin e ardhshëm.
Për një grup produktesh ushqimore bazë, TVSH-ja propozohet të ulet nga 20% në 6%. Këtu përfshihen buka, mielli, qumështi, kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
Lista e detajuar do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ulja e normës tatimore nuk përcakton automatikisht të njëjtën ulje të çmimeve për konsumatorët.
Ndërkohë, norma e përgjithshme e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%. Për akomodimin në strukturat turistike, përfshirë hotelet me pesë yje dhe agroturizmin, parashikohet kalimi nga 6% në 10%.
Ndryshim i rëndësishëm për bizneset është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Sipas relacionit, kjo masë pritet të përfshijë në skemë rreth 17.516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë detyrimet përkatëse.
Në tatimin mbi pagat, kufiri nga i cili zbatohet norma 23% propozohet të zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë bruto në muaj. Sipas materialit, kjo normë do të zbatohet për fashën nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë.
Për të ardhurat mujore mbi 700 mijë lekë propozohet një normë e re prej 32%. Ndryshimi i kufirit të fashës 23% nuk duhet ngatërruar me rritjen e pragut të pagës së patatueshme.
Paketa përfshin gjithashtu forcimin e mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve tatimore, zgjerimin e zbatimit të gjobave për transaksionet me para në dorë dhe rritjen graduale të akcizës së duhanit deri në vitin 2033.
Nga ana tjetër, propozohet heqja e detyrimit për dorëzimin e dyfishtë të pasqyrave financiare nga bizneset.
Regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, parashikohet të zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


