Macron akuzon ekstremin e majtë për dhunën, shtohen kufizimet në Francë

24 Oct 2026 • 14:34
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar grupe të ekstremit të majtë për organizimin e një pjese të sulmeve dhe trazirave në disa qytete të Francës, duke pretenduar se synojnë të minojnë institucionet e Republikës.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Macron tha se disa prej veprimeve të dhunshme ishin të planifikuara dhe kishin karakter politik e kryengritës.

“Në protesta kemi pasur akte politike dhe madje edhe kryengritëse nga grupe të organizuara të së majtës ekstreme që synojnë të rrëzojnë Republikën”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Presidenti bëri të ditur se në ditët në vijim mund të ndalohen protestat që nuk organizohen nga sindikata apo struktura të njohura. Për marshimet e autorizuara po shqyrtohet përcaktimi i itinerareve të posaçme, me synimin për të mbrojtur bizneset, dyqanet dhe pronën publike.

Sipas të dhënave të raportuara, rreth 3 mijë biznese në të gjithë vendin janë plaçkitur ose vandalizuar, ndërsa rreth 2 600 persona janë arrestuar në lidhje me dhunën.

Reklamë InterMedika

Autoritetet kanë vendosur masa të shtuara sigurie, përfshirë orë policore dhe kufizime të tubimeve në disa qytete.

Në disa zona të Parisit, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga ora 22:00 deri në 06:00. Në Lion janë ndaluar grumbullimet në rrugë, ndërsa në Marsejë janë kufizuar tubimet dhe demonstratat.

Në Nicë dhe në disa qytete të veriut të Francës janë njoftuar edhe masa që përfshijnë orë policore për të miturit, në përpjekje për të parandaluar përplasje të reja.