Protestat në Durrës, plagosen gjashtë drejtues dhe efektivë policie, Spahiu: Jashtë rrezikut për jetën

15 Oct 2026 • 17:54
Shpërndaje:

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka vizituar në Spitalin Rajonal të Durrësit nëndrejtorin e Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës në qytet. Sipas ministres, të gjashtë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë vizitës, Spahiu u njoh me gjendjen shëndetësore të punonjësve të policisë dhe vlerësoi punën e personelit mjekësor në trajtimin e të plagosurve.

Ajo shprehu mirënjohje për mjekët, infermierët dhe ekipet e urgjencës, të cilët kanë qenë në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë personave të lënduar gjatë protestave.

Reklamë Ola

“Nga Spitali Rajonal i Durrësit, dua të shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen time të plotë për të gjithë mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe çdo punonjës shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, të cilët po përballojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi situatën e krijuar nga personat e lënduar gjatë protestës”, deklaroi ministrja.

Spahiu garantoi se personeli shëndetësor do të ketë mbështetjen e nevojshme institucionale për të vijuar ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Reklamë InterMedika

Ministrja u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të Durrësit të ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e dhunshme, duke theksuar se dëmtimi i pronës publike dhe hapësirave të përbashkëta prek drejtpërdrejt komunitetin.

“Durrësi është qyteti i të gjithëve dhe askush nuk duhet të kontribuojë në shkatërrimin e tij. Dëmtimi i hapësirave publike dhe i pronës nuk zgjidh asnjë problem; përkundrazi, dëmton vetë qytetarët, familjet dhe komunitetin”, u shpreh ajo.

Një vëmendje të veçantë ministrja i kushtoi sigurisë së fëmijëve, duke kërkuar që të miturit të mos ekspozohen ndaj përplasjeve dhe situatave që mund të rrezikojnë shëndetin e tyre.

“Fëmijët kanë nevojë për siguri, për mbrojtje dhe për shembullin tonë të mirë. Ata nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezikut”, theksoi Spahiu.

Në përfundim, ministrja nënvizoi se e drejta e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre duhet të ushtrohet duke respektuar sigurinë, jetën dhe pronën e të tjerëve.