Ismaili: Pas çdo kapitulli me BE-në, opozita kërkon një kapitull dhune

14 Oct 2026 • 19:52
Shpërndaje:

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar pas incidenteve të dhunshme gjatë protestës në Tiranë, duke akuzuar opozitën se po shfrytëzon pakënaqësitë e studentëve për interesa politike.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ismaili dënoi dëmtimin e institucioneve, bizneseve dhe hapësirave publike, duke theksuar se aktet e dhunës nuk mund të zhbëjnë, sipas saj, përparimin e vendit.

“Shqipëria sot nuk digjet dot se i vutë flakën mureve, as se thyet xhama, as se shkulët semaforët”, shkroi ministrja.

Reklamë Ola

Ismaili argumentoi se demokracia dhe funksionimi i shtetit nuk përcaktohen nga godinat, por nga institucionet dhe politikat që garantojnë të drejtat e qytetarëve.

Duke iu referuar protestave të së kaluarës, ajo akuzoi opozitën për standarde të dyfishta në qëndrimin ndaj dhunës, ndërsa pretendoi se organizatorët e incidenteve po i përdorin të rinjtë si instrument të përplasjeve politike.

Reklamë InterMedika

“Sot u dogjën biznese, institucione, pemë prej atyre që rininë e kanë parë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mish për top”, deklaroi ajo.

Në reagimin e saj, ministrja renditi një sërë masash dhe investimesh të ndërmarra nga qeveria në arsim, ekonomi dhe mbështetje sociale, përfshirë ndërtimin e shkollave, financimin e doktoraturave, kreditë studentore dhe programet e strehimit.

“Këto nuk fshihen, nuk harrohen e nuk zhbëhen as me flakë e as me dhunë. Nuk zhbëhen as me godina të shkatërruara”, theksoi Ismaili.

Kritika të drejtpërdrejta ajo adresoi edhe ndaj disa pedagogëve, të cilët i akuzoi se po ushtrojnë presion mbi studentët për t’iu bashkuar protestave, pa paraqitur raste konkrete në reagimin e saj.

“Pedagogë që kërcënojnë studentët për të dalë në shesh, duke harruar se dega e PD-së është tjetërkund, larg auditorëve”, shkroi ministrja.

Ismaili kundërshtoi gjithashtu kritikat ndaj ndërhyrjes së policisë, duke argumentuar se forcat e rendit fajësohen si për mosparandalimin e dëmeve, ashtu edhe për ndërhyrjen ndaj personave që kryejnë akte të dhunshme.

Sipas saj, incidentet synojnë të cenojnë karakterin paqësor të protestës dhe të pengojnë dialogun me studentët.

Në përfundim, ministrja e lidhi reagimin edhe me procesin e integrimit evropian, duke akuzuar kundërshtarët politikë se po nxisin tensione në një kohë kur Shqipëria po përparon në negociatat me Bashkimin Evropian.

“Pas çdo kapitulli që mbyllet me BE-në, ju doni të hapni një kapitull të ri dhune në Shqipëri. Por jo mbi kurrizin e të rinjve dhe jo mbi kurrizin e Shqipërisë europiane”, përfundoi Ismaili.