Qeveria e Kosovës ka miratuar krijimin e një grupi punues për hartimin e një strategjie shtetërore në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë procesit të Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Grupi do të drejtohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Qeverisë më 14 tetor, ku kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se grupi do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë, me qëllim bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.
Kurti e cilësoi të padrejtë vendimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke argumentuar se ai përmban pasaktësi juridike, faktike dhe historike.
Sipas kryeministrit, përgatitja për fazën e Apelit kërkon një strategji të përbashkët që tejkalon ndasitë politike dhe bashkon institucionet e Kosovës.
“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se krijimi i grupit punues synon të konkretizojë angazhimin e Qeverisë për të mbështetur procesin gjyqësor përmes mekanizmave që ka në dispozicion.
“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, u shpreh kryeministri.
Nisma vjen pas vendimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për krime lufte, duke dhënë dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim.
Çështja tashmë është në fazën e Apelit, ndërsa autoritetet e Kosovës synojnë të bashkërendojnë mbështetjen institucionale për këtë proces.


