Meloni: Shqipëria dhe Mali i Zi, prioritet për anëtarësimin në BE

14 Oct 2026 • 12:25
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se mbështetja për përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian është një nga prioritetet afatshkurtra të Italisë, duke theksuar se suksesi i këtyre dy vendeve do të kishte rëndësi për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Gjatë fjalimit në Senatin italian, përpara mbajtjes së Këshillit Evropian, Meloni nënvizoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Unionit, duke e cilësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor si një element kyç për forcimin e Evropës.

“Vetëm një Evropë e ribashkuar, e mbështetur nga një konsensus i fortë politik, mund të mbetet konkurruese, me ndikim dhe e sigurt”, deklaroi kryeministrja italiane.

Reklamë Ola

Sipas saj, procesi i zgjerimit duhet të mbështetet në meritë dhe përgjegjësi të ndërsjellë, ku vendet kandidate duhet të përmbushin reformat e kërkuara, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë rezultatet e tyre me hapa konkretë.

Meloni theksoi se, megjithëse çdo vend kandidat ka ritmin dhe kushtet e veta të integrimit, objektivi politik mbetet forcimi i lidhjeve të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Reklamë InterMedika

“Prioriteti ynë në afat të shkurtër është të mbështesim fuqimisht përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë. Suksesi i tyre do të kishte një vlerë që shtrihet shumë përtej kufijve të tyre dhe tanë”, u shpreh ajo.

Kryeministrja italiane argumentoi se përparimi i këtyre dy vendeve do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm për të gjithë rajonin, duke dëshmuar se procesi i anëtarësimit është i realizueshëm dhe se reformat e ndërmarra nga vendet kandidate sjellin rezultate konkrete.

“Kur një vend kandidat bën pjesën e vet, Bashkimi Evropian duhet të jetë i aftë të bëjë të vetën”, theksoi Meloni.

Deklaratat e saj vijnë në një moment kur Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë negociatat e anëtarësimit, ndërsa zgjerimi i Bashkimit Evropian pritet të jetë një nga temat e diskutimeve të ardhshme mes udhëheqësve evropianë.