Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Thesarit me Jamie Kraut, Zëvendësndihmëse Sekretare, ku në fokus ishin forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë kibernetike, stabilitetit financiar dhe zgjerimit të investimeve amerikane në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë për ta pozicionuar Tiranën si një pol rajonal që kontribuon në forcimin e pranisë amerikane në Ballkan dhe në rritjen e garancive për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kërcënimeve kibernetike dhe hibride, përfshirë përpjekjet për ndërhyrje në proceset demokratike dhe nxitjen e paqëndrueshmërisë politike. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e mbrojtjes së sistemeve financiare dhe forcimit të qëndrueshmërisë ekonomike si elemente thelbësore për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin institucional.
Ambasadori Bushati nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe angazhimin e përbashkët në luftën kundër pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe rrjeteve financiare që mbështesin aktivitetet kriminale ndërkufitare.
Palët diskutuan gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e hetimeve financiare, si dhe për sfidat që krijojnë kërcënimet e ndërlidhura kibernetike, hibride dhe financiare.
Në përfundim, u vlerësua rëndësia e vijimit të dialogut dhe identifikimit të mundësive konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e financiar mes dy vendeve.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë dhe aleatë, të bashkuar nga vlera dhe interesa të përbashkëta, me synimin për të kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët.


