Shqipëria është përfshirë zyrtarisht në Qendrën Europiane për Qëndrueshmërinë Demokratike, një nismë e Bashkimit Europian që synon forcimin e bashkëpunimit kundër ndërhyrjeve të huaja dhe kërcënimeve ndaj proceseve demokratike.
Vendimi u mor sot në Luksemburg, gjatë një takimi në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku mori pjesë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Takimi, i bashkorganizuar nga Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së dhe Komisioni Europian, formalizoi përfshirjen e Shqipërisë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate, në aktivitetet e Qendrës.
Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit për përballimin e manipulimit të informacionit, ndërhyrjeve të huaja dhe rreziqeve që cenojnë institucionet demokratike.
Hoxha: Integrimi europian po konkretizohet në praktikë
Nga Luksemburgu, ministri Ferit Hoxha e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas tij, vendimi dëshmon se integrimi gradual nuk kufizohet vetëm te negociatat, por përfshin edhe bashkëpunimin konkret për përballimin e sfidave të përbashkëta.
“Shqipëria ka krijuar një përvojë të vlefshme në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale. Jemi të gatshëm ta zhvillojmë më tej këtë ekspertizë dhe ta vëmë atë në shërbim të përpjekjeve tona të përbashkëta me partnerët europianë”, deklaroi Hoxha.
Ministri paralajmëroi se manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në hapësirën informative përbëjnë një kërcënim gjithnjë e më kompleks, pasi synojnë jo vetëm institucionet, por edhe besimin e qytetarëve dhe funksionimin e debatit demokratik.
Duke iu referuar konferencës ndërkombëtare mbi ndërhyrjet e huaja në informacion, të organizuar në Tiranë më 27 korrik, Hoxha theksoi rëndësinë e një përgjigjeje të koordinuar, ku të përfshihen institucionet dhe shoqëria.
“Për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme”, u shpreh ai.
Ky zhvillim vjen përpara Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, gjatë së cilës pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e një tjetër kapitulli negociues.


