Ministri i Brendshëm i Serbisë dhe kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç, ka rikthyer çështjen e Kosovës në qendër të fushatës elektorale, duke përsëritur deklaratën se flamuri serb do të valëvitet sërish në Prizren.
Gjatë një tubimi në Beograd, Daçiç iu përgjigj kritikave të ish-ministrit gjerman Michael Roth, i cili kishte kundërshtuar deklaratat e tij të mëparshme për Kosovën.
“Unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e Metohinë i kemi mbrojtur me luftë”, u shpreh Daçiç.
Ai e lidhi qëndrimin e tij edhe me origjinën nga Prizreni, duke pretenduar se numri i serbëve në këtë qytet është zvogëluar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
“Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë”, deklaroi ministri serb, duke iu referuar rikthimit të flamurit të Serbisë në Prizren.
Daçiç: Nuk ka Serbi pa Kosovën
Në fjalimin e tij, kreu i socialistëve serbë këmbënguli se Kosova mbetet pjesë e pandashme e vizionit politik të partisë së tij, pavarësisht shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008.
Ai vlerësoi gjithashtu figurën e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç, themelues i Partisë Socialiste të Serbisë.
Daçiç deklaroi se do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të bindur shtete të tjera të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se ka ndikuar më parë në vendimet e mbi 20 vendeve.
“Nëse ne jemi faktor, do të vazhdojmë me atë politikë. Edhe 10 apo 20 vende të tjera do të tërheqin njohjen e tyre për Kosovën”, tha ai.
Ministri serb e cilësoi Rusinë dhe Kinën si aleatë të rëndësishëm të Beogradit për shkak të qëndrimit të tyre kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.
“Unë nuk jam rusofil, jam serbofil. Na duhet kjo për hir të Serbisë”, deklaroi Daçiç, duke përjashtuar mundësinë e mbështetjes së sanksioneve kundër Moskës.
Gjatë tubimit, ai shprehu edhe ambicien për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi.
Deklaratat e Daçiç vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara, ndërsa procesi i normalizimit të marrëdhënieve, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, mbetet pa një marrëveshje përfundimtare.


