Plani i Bashkimit Europian për të përfshirë influencerët në mbulimin e samiteve të liderëve europianë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Asnjë krijues përmbajtjeje nuk është ftuar në mbledhjen e Këshillit Europian, të planifikuar për 15 dhe 16 tetor në Bruksel.
Sipas një raportimi të POLITICO, nisma ishte propozuar në fillim të këtij viti, me synimin për të zgjeruar audiencën dhe për të informuar qytetarët, veçanërisht të rinjtë, mbi aktivitetet e institucioneve europiane.
Plani parashikonte që influencerët të përzgjidheshin dhe të ftoheshin nga vetë shtetet anëtare, jo drejtpërdrejt nga Këshilli i BE-së.
Megjithatë, gjashtë diplomatë europianë i kanë konfirmuar POLITICO-s se vendet e tyre nuk kanë propozuar asnjë emër për samitin e kësaj jave.
Sipas disa prej diplomatëve, pengesat kryesore kanë qenë problemet logjistike dhe kufizimet buxhetore, ndërsa të tjerë kanë pranuar se nisma nuk është diskutuar ende me qeveritë përkatëse.
“Nuk ka interes për këtë”, deklaroi një diplomat, duke shtuar se nëse një lider europian dëshiron të shoqërohet nga një influencer, mund ta ftojë vetë, pa ndërmjetësimin e Këshillit.
Zëdhënësi i Këshillit, Romain Sadet, konfirmoi se në mbledhjen e ardhshme të liderëve europianë nuk do të marrin pjesë krijues përmbajtjeje.
Çfarë parashikonte plani i BE-së?
Sipas propozimit fillestar, influencerët do të kishin akses në disa hapësira të selisë së Këshillit në Bruksel, të cilat aktualisht janë të rezervuara për gazetarët e akredituar pranë institucioneve europiane.
Megjithatë, ata nuk do të lejoheshin t’u drejtonin pyetje ministrave apo liderëve të BE-së dhe do të shoqëroheshin gjatë gjithë kohës nga stafi i institucionit.
Plani parashikonte pjesëmarrjen e maksimumi dhjetë krijuesve të përmbajtjes për çdo aktivitet, pa pagesë nga institucionet europiane.
Në udhëzimet e dërguara qeverive kombëtare në qershor, Këshilli kërkonte që të mos përzgjidheshin persona që kishin publikuar qëndrime kundër vlerave të BE-së apo që kishin bashkëpunime të rëndësishme dhe afatgjata tregtare me marka të mëdha.
Gazetarët kundërshtuan nismën
Propozimi është pritur me kritika nga përfaqësuesit e medias, të cilët kanë ngritur shqetësime mbi transparencën dhe standardet etike.
Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit, që përfaqëson gazetarët që mbulojnë institucionet europiane, paralajmëroi se influencerët mund të marrin pjesë në samite pa qenë të detyruar të deklarojnë burimet e financimit.
Sipas shoqatës, ndryshe nga krijuesit e përmbajtjes, gazetarët e akredituar u nënshtrohen standardeve profesionale që kërkojnë pavarësi editoriale dhe shmangien e pagesave në këmbim të raportimeve pozitive.
Pavarësisht mungesës së pjesëmarrësve në samitin e tetorit, disa diplomatë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që nisma të zbatohet në mbledhjet e ardhshme të liderëve europianë.


