Autoritetet polake kanë nisur hetimet për një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe zëvendëskryeministrit, njëherazi ministër i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Lajmi u bë i ditur të dielën nga zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Gałecka, e cila njoftoi në platformën X se janë urdhëruar masa të menjëhershme për të vlerësuar kërcënimin.
Sipas saj, ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński dhe koordinatori i shërbimeve speciale, Tomasz Siemoniak, kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse pas informacioneve për një tentativë të mundshme atentati ndaj dy zyrtarëve të lartë.
Pas këtij njoftimi, përfaqësues të policisë, shërbimit të mbrojtjes së qeverisë dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme zhvilluan një mbledhje urgjente në qendrën kundër terrorizmit të kësaj agjencie.
Zëdhënësi i koordinatorit të shërbimeve speciale, Jacek Dobrzyński, deklaroi pas takimit se autoritetet po e trajtojnë situatën me seriozitet të lartë.
“Muaj pas muaji, vit pas viti, policia merr gjithnjë e më shumë kërcënime dhe mesazhe shqetësuese”, u shpreh ai.
Dobrzyński theksoi se, në këtë rast, ekziston një probabilitet i lartë që kërcënimet të mund të ishin kthyer në veprime konkrete.
Autoritetet nuk kanë publikuar detaje të tjera mbi planin e dyshuar dhe ende nuk dihet se kush mund të qëndrojë pas tij.
Zhvillimet vijnë në një periudhë shqetësimesh të shtuara për sigurinë në Poloni, e cila ka qenë objekt i sulmeve kibernetike dhe aktiviteteve hibride të lidhura nga autoritetet me Rusinë, në kontekstin e mbështetjes së Varshavës për Ukrainën.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike asnjë provë që ta lidhë kërcënimin e dyshuar ndaj zyrtarëve polakë me ndonjë shtet apo organizatë të caktuar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar natyrën e kërcënimit dhe nëse ka pasur një plan konkret për sulm.


