Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Europian për mbylljen provizore të Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale.
Sipas vlerësimit të përcjellë nga autoritetet shqiptare, vendi ka përmbushur kërkesat e nevojshme për këtë fazë, duke përafruar legjislacionin dhe politikat në fushën e sipërmarrjes dhe zhvillimit industrial me standardet europiane.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap përpara në procesin e integrimit, duke theksuar se ai krijon perspektiva të reja për investimet, inovacionin, konkurrueshmërinë dhe punësimin.
Mbyllja provizore e Kapitullit 20 pritet të formalizohet në konferencën e radhës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në korrik të këtij viti, gjatë Konferencës së nëntë Ndërqeveritare, u zyrtarizua mbyllja provizore e tre kapitujve: Kapitullit 25, “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullit 26, “Arsimi dhe Kultura”, dhe Kapitullit 30, “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Me formalizimin e Kapitullit 20, Shqipëria do të ketë katër kapituj të mbyllur provizorisht, ndërsa 29 të tjerë mbeten për t’u përfunduar.
Qeveria shqiptare synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, megjithëse përmbushja e këtij objektivi varet nga ecuria e reformave dhe vlerësimi i vendeve anëtare të BE-së.
Ndër fushat më sfiduese mbeten drejtësia, bujqësia, siguria ushqimore, mjedisi dhe tregu i brendshëm, të cilat kërkojnë ndryshime të konsiderueshme ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Një rëndësi të veçantë ka grupkapitulli “Themelorët”, që përfshin shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve dhe të drejtat themelore. Sipas metodologjisë së zgjerimit të BE-së, ky grupkapitull hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Mbyllja provizore e kapitujve nuk nënkupton përfundimin e të gjitha detyrimeve, pasi Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e reformave deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit.


