Reforma territoriale, Kumbaro: Libohova nuk e humbet identitetin, zhvillimi është përtej kufijve administrativë

08 Oct 2026 • 20:21
Shpërndaje:

Ministrja e Arsimit dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ka mbrojtur nevojën për një riorganizim të ri territorial, duke theksuar se ndryshimet administrative nuk duhet të konsiderohen kërcënim për identitetin e komuniteteve.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, në seancën ku pritet të votohet ndarja e re territoriale, Kumbaro u ndal veçanërisht te Libohova, duke argumentuar se zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i shërbimeve kanë më shumë rëndësi sesa ruajtja e statusit administrativ si bashki.

“Për ta nxjerrë Libohovën time nga hija e mosdijes kolektive, por sidomos për ta nxjerrë nga izolimi total ekonomik, zhvillimor e institucional, statusi administrativ bashki nuk na kishte ndihmuar asnjëherë”, deklaroi ajo.

Reklamë Ola

Sipas ministres, identiteti i Libohovës është i lidhur me historinë, kulturën dhe banorët e saj, ndërsa investimet dhe mundësitë ekonomike janë faktorët që ndikojnë në të ardhmen e qytetit.

Kumbaro përmendi investimet e realizuara në infrastrukturë, hapësira publike, trashëgimi kulturore, ujësjellës, kanale vaditëse, shkolla dhe qendra shëndetësore, duke theksuar se zhvillimi nuk duhet të kushtëzohet nga kufijtë administrativë.

Reklamë InterMedika

“Libohova është në të vërtetë një bashki e vogël, ndoshta edhe më e vogla në qark. Por ajo që ka rëndësi është se njerëzit e saj jetojnë, punojnë dhe bashkëveprojnë pa kufij administrativë”, u shpreh ajo.

Kumbaro: Ekonomia e zonës funksionon përtej kufijve të bashkive

Ministrja solli si shembull marrëdhëniet ekonomike mes Libohovës, Dropullit dhe Gjirokastrës, duke përmendur bujqësinë, turizmin, agroturizmin dhe lëvizjen e punonjësve mes këtyre territoreve.

Sipas saj, banorët e Libohovës punojnë edhe në bashkitë fqinje, ndërsa administrata vendore mbështetet te profesionistë që vijnë nga qytete të tjera.

Kumbaro përmendi gjithashtu një grant prej 261 milionë lekësh për rehabilitimin e sistemit të vaditjes dhe kanalit kryesor vaditës në zonat e Libohovës, Drinos dhe Nepravishtës.

Ajo e cilësoi këtë investim si shembull të nevojës për planifikim të përbashkët dhe bashkëpunim mes territoreve.

Duke folur për zhvillimin e turizmit, ministrja theksoi se në zonë janë shtuar sipërmarrjet dhe strukturat e akomodimit, përfshirë investime nga banorë vendas dhe emigrantë të kthyer.

“Libohova sot nuk është vendi i mungesave, është vendi i mundësive. Dhe, të jemi realistë, është zhvillimi ekonomik ai që na e ruan më mirë identitetin”, deklaroi Kumbaro.

“Libohova mbetet qytet, shërbimet do të zgjerohen”

Në lidhje me reformën territoriale, Kumbaro argumentoi se riorganizimi administrativ duhet të shërbejë për bashkimin e kapaciteteve, burimeve njerëzore dhe potencialeve ekonomike të zonës.

“Libohova është pjesë e një territori që duhet të zhvillohet si një tërë, duke bashkuar forcat, duke pasur një plan zhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe duke administruar më mirë kapacitetet dhe burimet njerëzore”, u shpreh ajo.

Ministrja siguroi se ndryshimi i organizimit administrativ nuk do të nënkuptojë humbjen e identitetit apo të përfaqësimit të Libohovës.

“Libohova mbetet qytet falë zhvillimit që mbron identitetin. Nuk ndryshojnë shërbimet, përkundrazi zgjerohen ato, me përfaqësimin e vet dinjitoz në këshillin bashkiak dhe me kryetarin e qytetit të Libohovës”, përfundoi Kumbaro.

Deklaratat e saj vijnë në kuadër të diskutimeve parlamentare për reformën territoriale, e cila synon riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore.